Rusia dhe Kina bëhen bashkë duke kritikuar SHBA: Po rrit tensionet ushtarake

Rusia dhe Kina bëhen bashkë duke kritikuar SHBA: Po rrit tensionet

Rusia dhe Kina janë bërë bashkë duke kritikuar SHBA-në për testimin e një rakete të re me rreze të mesme veprimi. Rusia e cilësoi aktin një provokim që do të rritë tensionet ushtarake në botë, ndërsa Pekini akuzoi Uashingtonin për mentalitet të "Luftës së Ftohtë".

Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se testimi i një rakete-provë dy javë pas anulimit të traktatit dypalësh për armët interkontinentale, mund të provokojë tensione ushtarake.

Pentagoni njoftoi të hënën se raketa e lëshuar së fundmi fluturoi mbi 500 kilometra para se të godiste objektivin.

Zotërimi i kësaj teknologjie ndalohej rreptësisht në bazë të marrëveshjes, dhe palët vazhdimisht kanë akuzuar njëra-tjetrën se e posedonin pavarësisht pengesave.

"Nuk ka konfirmim më të qartë dhe eksplicit të faktit se SHBA-të e kanë zhvilluar këtë sistem për një kohë të gjatë. Dhe kjo është tepër zhgënjyese. Por ne nuk do u përgjigjemi provokimeve dhe përsërit zotimin e djeshëm të presidentit Vladimir Putin që për këto tipe sistemesh të zbatohet moratoriumi," deklaroi zv.kryediplomati rus, Sergei Riabkov.

Kritikave iu bashkua të martën edhe Kina.

"Akti i SHBA-së do të nxitë garën për epërsi luftarake dhe do të përshkallëzojë konfrontimet. SHBA-ja duhet të heqë dorë nga mentaliteti i 'Luftës së Ftohtë' dhe të bëjë më shumë për paqen dhe qetësimin e mjedisit ndërkombëtar dhe rajonal," deklaroi zëdhënsi i Ministrisë së Jashtme kineze.

Pala amerikane këmbëngul se testimet e saj nuk kanë për qëllim të tregojnë kapacitetet luftarake, porse pas tërheqjes nga pakti me Rusinë, i duhet të projektojë armë të reja për t'i bërë ballë çdolloj agresioni.

Në nëntor, Departamenti amerikan i Mbrojtjes planifikon të testojë një raketë balistike nga toka me rreze edhe më të gjatë veprimi, deri në 1 mijë kilometra.

EMISIONET