Rruga e vështirë e Kosovës drejt lëvizjes pa viza

Rruga e vështirë e Kosovës drejt lëvizjes pa viza

Vendimmarrja komplekse brenda Bashkimit Evropian dhe rrethanat e pafavorshme politike mund të bëhen pengesë për liberalizimin e vizave, është konstatuar në analizën e Grupit për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), me titull- “Rruga e gjatë e Kosovës për udhëtim pa viza”.

Skepticizmi në rritje brenda disa shteteve anëtare, eksodi i vitit 2014, rritja e populizmit të partive dhe qeverive nacionaliste të djathtistëve- janë disa prej faktorëve që, sipas raportit, mund ta vështirësojnë rrugën e Kosovës drejt lëvizjes pa viza, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë futja e mekanizimit të pezullimit të vizave, nëse ka rritje të azilkërkuesve, është konsideruar rrethanë e cila mund ta shtyjë BE-në të mos e vonojë Kosovën.

“Mekanizmi mbi suspendimin e lëvizjes pa viza, i cili u miratua në vitin 2017 mund të lehtësojë procesin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Përmes kësaj mase, shtetet anëtare kanë më shumë kontroll mbi situatën pas liberalizimit të vizave. Në rast se ka valë të emigrantëve të pakontrolluar nga një shtet i përjashtuar nga regjimi i vizave, secili shtet anëtar, si dhe vetë Komisioni Evropian, kanë të drejtë të iniciojnë mekanizmin suspendues”, thuhet në hulumtim.

“Megjithatë, ka ende punë për t’u bërë dhe monitorimi do të vazhdojë. Kosova duhet të vazhdojë progresin dhe të demonstrojë arritje të vazhdueshme në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, vendet anëtare të BE-së janë shumë të ndjeshme ndaj menaxhimit të kufirit administrativ dhe migracionit dhe Qeveria duhet të vazhdojë me ritmin e progresit të arritur në këtë fushë”.



EMISIONET