Rimëkëmbja në tre ekonomitë më të fuqishme të Eurozonës është ndalur në tremujorin e dytë të këtij viti, duke nënvizuar edhe njëherë brishtësinë e bllokut si pasojë e inflacionit të ulët dhe krizës në Ukrainë. Të dhënat e publikuara në ekonominë lider të bllokut treguan se produkti i brendshëm bruto në Gjermani, gjatë tremujorit të dytë është tkurrur me 0.2%, një vlerë kjo më negative sesa parashikimet e analistëve. Përsa i përket vendit të dytë, ekonomia franceze mbeti në stanjacion, ndërkohë që për të plotësuar piedestalin e tre më të mirave mendon Italia, e cila pak ditë me parë publikoi tkurrje ekonomike në nivelet e 0.2%. Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, të dhënat e publikuara se fundmi ushtrojnë presion mbi Bankën Qëndrore Europiane që të zgjerojë paketën e stimujve. Fillimisht performanca jo mjaft pozitive e Gjermanisë iu dedikua dimrit të ngrohtë dhe prodhimit të lartë në 3 muajt e parë të vitit, ndërsa tashmë, vëmendja është e fokusuar tek sanksionet e vendosura kundër Rusisë. Analistët shprehen se ekonomia e bllokut europian është ende e brishtë me inflacionin që po qëndron në nivelet më të ulëta që nga viti 2009, ndërkohë që masat e ndërrmara deri më tani nga Banka Qëndrore Europiane do të duan kohë që të japin efektin e dëshiruar. Të dhënat e publikuara më herët kanë konstatuar se inflacioni në bllokun me 18 anëtarë gjatë muajit Korrik ra në 0.4%, çka përbën edhe nivelin më të ulët të këtij indeksi që nga fillimi i krizës financiare, rreth 5 vite më parë. Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

/Ora News.tv/