Rritet mesatarja për pranimin në programet e Mësuesisë

Rritet mesatarja për pranimin në programet e Mësuesisë

Vitin e ardhshëm akademik 2020-2021, nota mesatare e pranimit në universitet për programet e mësuesisë do të jetë mbi 8 nga 7.5 që është këtë vit. Vendimin e njoftoi Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila tha se synohet përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies.

Mësues do të bëhen vetëm studentët më të mirë. Ministrja, Besa Shahini, gjatë një interpelance në Parlament njoftoi se vitin e ardhshëm akademik në programet e mësuesisë do të pranohen maturantët që do të kenë notën mesatare mbi 8.

Qëllimi i këtij vendimi  tha ajo është përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies si dhe kthimi i dinjitetit të mësuesit.

Shahini: Kemi një numër të mësuesve në sistem që nuk janë të nivelit që duhet të jetë një mësues. Problemi i mësuesve në sistem është se nuk ka një mekanizëm që ata pastaj të dalin nga sistemi. Vitin akademik 2018-2019 rritëm notën mesatare për pranim në programet e mësuesisë nga 6 në 7. Sivjet e çuam në 7.5 me idenë që vitin tjetër do ta çojmë në 8.

Ministrja njoftoi se janë forcuar gjithashtu edhe kriteret për punësimin e mësuesve në sistem.

Shahini: Kemi vendosur dhe kriterin e notës mesatare të studimeve në universitet. Duhet ta kesh notëm më të lartë mesatare të studimeve në universitet, duhet të njohësh një gjuhë të huaj dhe ata që dalin në krye të listës marrin ofertën të parët për tu bërë mësues.

Për këtë vit akademik, nota mesatare e pranimit në Universitet do të jetë 6.5, ndërsa për programet e mësuesit 7.5.





EMISIONET