Rrëzimi i qeverisë, Kurti: Ishte një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme

Rrëzimi i qeverisë, Kurti: Ishte një rënie e domosdoshme

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaqguar për herë të parë pas rrëzimit të qeverisë të drejtuar prej tij nga kuvendi ditën e djeshme.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se rënia e qeverisë ishte e domosdoshme për ngritjen e nevojshme.

Ai ka shtuar se pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje.

Sipas tij, mbledhja e djeshme e Kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë.

Postimi i plotë:

Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.

Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.

Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë.

Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.

Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.

Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.

Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë.

Kuvendi i Kosovës më 25 mars me shumicë votash miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Mocioni u paraqit me iniciativën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

EMISIONET