Autoritetet iraniane njoftuan të martën se janë bërë disa arrestime për sulmin aksidental ndaj avionit ukrainas të pasagjerëve që vrau 176 njerëz në bord menjëherë pas ngritjes nga Teherani javën e kaluar.

Njoftimi erdhi në mes të një zemërimi të ashpër dhe protestash nga iranianët ditët e fundit.

Irani, i cili fillimisht hodhi poshtë pretendimet se një raketë kishte rrëzuar avionin, pranoi vetëm të shtunën - tre ditë pas ngjarjes dhe provave në rritje- se Garda e saj Revolucionare kishte rrëzuar gabimisht avionin.

Zëdhënësi i gjyqësorit Gholamhossein Esmaili u citua nga mediat shtetërore iraniane duke thënë se "janë zhvilluar hetime të gjera dhe disa persona janë arrestuar."

Ai nuk tha sa persona ishin ndaluar dhe as nuk dha detaje mbi identitetet e tyre apo funksionet që mbanin.

Presidenti iranian të martën gjithashtu bëri thirrje që të ngrihet një gjykatë speciale për të hetuar incidentin.

"Gjyqësori duhet të krijojë një gjykatë speciale me një gjyqtar të rangut dhe dhjetëra ekspertë," tha Presidenti Hassan Rouhani.

"Ky nuk është një rast i zakonshëm. E gjithë bota do ta vëzhgojë këtë gjykatë. "

Rouhani e quajti incidentin "një gabim të dhimbshëm dhe të pafalshëm" dhe premtoi se administrata e tij do ta ndiqte çështjen "me çdo mënyrë".

"Përgjegjësia bie mbi më shumë se një person," tha ai, duke shtuar se ata që janë fajtorë "duhet të ndëshkohen".

"Ka edhe të tjerë, dhe unë dua që kjo çështje të trajtohet me ndershmëri," tha ai, pa e shtjelluar.

Rouhani  tha se marrja e përgjegjësisë nga qeveria iraniane për rrëzimin e avionit ishte  "hapi i parë i mirë".

Avioni, gjatë rrugës për në kryeqytetin ukrainas të Kyiv, po transportonte 167 pasagjerë dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit nga disa vende, duke përfshirë 82 iranianë, 57 kanadezë - përfshirë shumë iranianë me shtetësi të dyfishtë - dhe 11 ukrainas, sipas zyrtarëve.

Mes pasagjerëve kishte edhe fëmijë, përfshirë një të mitur.

/Ora News.tv/