Virozat e stinës kanë infektuar 18 mijë shqiptarë në vend. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë raportimit në Komisionin e Shëndetësisë, u shpreh se shifra është më e lartë se 1 vit më parë. Për 5 të dyshuarit si të prekur me koronavirusin e ri, Manastirliu konfirmoi se kanë rezultuar negativ.

Rreth 18 mijë shqiptarë janë prekur nga infeksionet respiratore të stinës. Shifra u bë e ditur nga ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë raportimit në komisionin e shëndetësisë, nga ku theksoi se të prekur janë në numër më të lartë krahasuar me një viti më parë.

Manastirliu: Aktiviteti i infeksioneve respiratore akute paraqet një prirje në rritje, një aktivitet gjeografik të përhapur dhe një intesitet shumë të lartë.

Shefja e departamentit të Epidemiologjisë në ISHP Silva Bino pranoi se për shkak të virozave stinore në vendin tonë kanë humbur jetën dy persona mbi 60 vjeç.

Bino: Kemi pasur dy vdekje, që kanë qenë mbi 60 vjeç, persona me probleme të tjera, por që nuk janë vaksinuar. 

Për rrezikun ndaj koronavirusit të ri, Ministrja ripërsëriti se vendi ynë mbetet me rrezik të ulët, teksa siguroi se 5 rastet e dyshuara, kanë rezultuar negativ.

Manastirliu: Janë testuar brenda 8 orëve nga laboratori i virologjisë në ISHP, nga ku kanë rezultuar negativ për koronavirus, duke konfirmuar faktin që Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.

Në kuadër të masave të marra, Manastirliu tha se prej 15 shkurtit, diagnoza për koronavirusin e ri do të kryhet pranë Institutit të Shëndetit Publik.

/Ora News.tv/