Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Interpol Tirana ka vënë në pranga me qëllim ekstradimin dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Italisë dhe Kosovës.

Policia bën me dije se është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasi shqiptar A.P., 40 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim nga Interpol Roma.

“Gjykata e Venecias, Itali, ka lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, - njofton policia.

-Gjithashtu u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi drejt Kosvës i shtetasit kosovar   R.Xh., 39 vjeç.

“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim  ndërkombëtar nga UNMIK, pasi autoritetet gjyqësore kosovare, kanë lëshuar urdhër-arresti  për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi", - njofton policia.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën dhe Policinë e Kosovës po vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.

/Ora News.tv/