Aplikimi i masave lehtësuese ka rikthyer kaosin dhe trafikun në kryeqytet ku rrugët e Unazës bllokohen nga numri i lartë i automjeteve. Sipas policisë trafiku bëhet nga punimet në rrugë por dhe masat lehtësuese për automjetet, ndërsa pikat e kontrolleve të cilat ishin vendosur brenda qytetit tashmë janë zhvendosur në rrugët hyrëse dhe dalëse. 

Rruga nga kthesa e Kamzës deri tek rreth rrotullimi ish-Doganës në mëngjes është e pakalueshme për shkak të numrit të lartë të mjeteve.

E njëjta situatë është dhe në aksin nga ish-Dogana në drejtim të Astirit dhe anasjelltas.

Sipas policisë trafiku i rënduar në këtë aks është lehtësimi i masave por dhe punimet në rrugë që po kryhen në Unazë. Drejtuesit e mjeteve shprehen se iu duhet të kalojnë me kohë të gjatë për të mbërritur në destinacion.

Pas udhëzimit nga ana e Task Forcës për rihapjen graduale, policia ka ndryshuar strategji për kontrollin e automjeteve.

Pikat e kontrollit të vendosura tek kryqëzimi i "Don Boskos", kryqëzimi "5 Majit", apo në zonën e "Ali Demit" tashmë janë zhvendosur. 

Pavarësisht heqjes së pikave të kontrolleve brenda qytetit, patrulla këmbësore vijojnë të ndalojnë automjetet për verifikim. 

Ky planizim i policisë vjen pas rihapjes së zonave të gjelbërta për lëvizjen e automjeteve pa autorizim, ndërsa kontrolleve iu nënshtrohen gjithë automjetet që hyjnë dhe dalin brenda një qarku.


/Ora News.tv/