Rezoluta për ndërhyrjet e huaja, Bushati propozon amendime të reja

Një ditë pas diskutimit në Komisionin e Politikës së Jashtme të projektrezolutës së propozuar nga Taulant Balla për ndërhyrjet e huaja, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka depozituar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare amendimet e tij.

Amendimet e Bushatit, i cili doli hapur kundër tij në Komisionin e Jashtëm një ditë më parë bazohen në tre shtylla kryesore që janë:

1. Legjislacioni dhe institucionet vendase;

2. Angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë;

3. Media dhe edukimi;

Ish-ministri Bushati gjithashtu  propozon edhe ndryshimin e titullit të projektrezolutës, duke propozuar që të bëhet:

“Projektrezolutë “Për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja të mundshme në proceset zgjedhore dhe dezinformimit si mjet i ushtrimit të influencës në jetën shoqërore”.

Sipas Bushatit, titulli aktual i projektrezolutës së propozuar nga deputeti Balla, “është marrë nga Rezoluta e Parlamentit Europian, miratuar në 10 tetor 2019,  e cila reflekton një realitet tjetër në nivel supra-kombëtar, siç është forma e organizimit të BE-së, bazuar mbi parimin e subsidiaritetit".

Deputeti i PS-së propozon ndryshime të thella në preambul të projektrezolutës, në referimin e kushteve që gjeneruan këto amendamente si dhe rekomandimet që lë Kuvendi ndaj institucioneve.

Njësoj si jë ditë më parë, ish-ministri dhe në amendimet arsyeton ndryshimet me faktin se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar strategji dhe ligje që rregullojnë dhe garantojnë veprimtarinë e institucioneve në këtë fushë, sikundër detyrimet që lindin në bazë të këtyre ligjeve për këto institucione për të ofruar të dhëna, garanci, mbrojtje dhe zbatimin e politikave të hartuara.

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare propozon amendime të projektrezolutës në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë me synim harmonizimin konceptual dhe terminologjik me konceptin strategjik të NATO-s, SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së.

Ndërhyrja e tretë e Ditmir Bushatit ka të bëjë me çështje të dezinformimit apo ndërhhyrje në proceset zgjedhore.

Propozimet e tij ndahen në dy drejtime, rregullimi i kuadrit ligjor për mediat elektronike dhe qasja edukative.

Bushati gjithashtu kërkon që  “institucionet përgjegjëse të marrin masat për hartimin e kuadrit ligjor për adresimin e çështjeve të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e mediave elektronike duke respektuar parimet kushtetuese mbi lirinë dhe të drejtën e shprehjes, në përputhje me standardet e BE-së, rekomandimet e OSBE-së, të bazuara mbi parimin e vet-rregullimit."

Në Komision një ditë më parë ai bëri apel që Shqipëria të mos lundrojë në ujëra të turbullta, duke miratuar rezoluta për masa që janë përcaktuar nga strategia e sigurisë kombëtare.


EMISIONET