Franca ‘armikja’ e zgjerimit, kundër negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore

Franca ‘armikja’ e zgjerimit, kundër negociatave me

Vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë arritur një qëndrim unanim në lidhje me fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Në takimin e ambasadorëve të BE-së dominoi qëndrimi i Francës për ta shtyrë zgjerimin pas reformimit të bllokut. Nuk pritet që kjo qasje të ndryshojë as në takimin e ministrave të Jashtëm, por vendimi përfundimtar do të merret në takimin e udhëheqësve më 17 dhe 18 tetor.  

Franca u tha partnerëve evropianë se është kundër çeljes së bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, qasjes që vendos në rrezik përpjekjet e Perëndimit për të integruar rajonin, i tha një burim diplomatik agjencisë Reuters. Përparim nuk ka pasur as në mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare të mërkurën.

Më shumë se gjysma e 28 vendeve anëtare, si dhe zyrtarët më të lartë të Brukselit, po bëjnë presion për fillimin e bisedimeve me të dy vendet. Ata paralajmërojnë se Rusia, Kina dhe Turqia do të shfrytëzojnë hendekun që mund të shkaktohet nëse nuk ruhet perspektiva evropiane. Por Parisi thotë se BE-ja ndeshet me shumë sfida dhe nuk ka kohë të merret tani me Ballkanin e dalë nga lufta dhe i mbytur nga korrupsioni.

“Vendet nuk janë gati. Ne po kërkojë përpjekje të tjera,” tha një zyrtar francez, duke shtuar se në tetor nuk ka mundësi për fillimin e procesit dhe “kjo çështje mund të rimerret në shqyrtim në vitin 2020.” Franca kërkon së pari reformimin e bllokut dhe më pas zgjerimin me anëtarë të rinj.

Vendet anëtare duhet të vendosin unanimisht për fillimin e bisedimeve të pranimit. Ministrat e Jashtëm do ta diskutojnë çështjen në takimin e 15 tetorit në Luksemburg dhe më pas krerët e vendeve anëtare do ta marrin një shqyrtim më 17 dhe 18 tetor.

Por ndërsa Franca është skeptike e zgjerimit, vende të tjera që e mbështesin procesin ndihen të frustruara me sjelljen që po mbahet ndaj vendeve kandidate. Skeptike është edhe Holanda, por ky vend thotë se nuk do të bllokojë vendimin me veto.

EMISIONET