Shqipëria ka zbritur me 2 vende në indeksin e lirive mediatike, duke bërë hapa pas sa afro 6 vite më parë. Presioni i vazhdueshëm por edhe nismat legjislative të qeverisë shqiptare për të kontrolluar sistemin po komprometojnë mëkëmbjen e medieve.

Tirane- Situata me lirinë e medies në Shqipëri vazhdon të përkeqësohet nga viti në vit, dhe faji për këtë i atribuohet kryesisht presionit të qeverisë.

Në raportin e fundit të organizatës ndërkombëtare, "Reporterët Pa Kufij", Shqipëria ka zbritur me 2 vende në 2020-ën, duke u renditur e 84-a mes 180 shteteve të botës, një rënie e lirë nga viti 2019 kur sërish u listua 7 vende më poshtë se viti i kaluar.

"Në 2019-ën, qeveria rriti përpjekjet për të marrë nën kontroll mediet me justifikimin e luftës ndaj lajmeve të rreme. Shumica qeverisëse në dhjetor votoi në parlament paketën 'antishpifje', duke kufizuar liritë e shprehjes, të informacionit dhe të shtypit, përkundër praktikave më të mira," theksoi organizata e gazetarëve në njoftimin e saj.

Gazetarët shqiptarë, sipas raportit, kanë ende qasje të kufizuar te informacioni zyrtar, për shkak të vijës politike të qeverisë por edhe kontrollit që ushtrohet mbi televizionet nëpërmjet licensave të transmetimit.

Për punonjësit e medieve vendëse theksohet se ata shpesh bien edhe pre e agresionit dhe sulmit fizik, si prej autoriteteve shtetërore, edhe vetë qytetarëve.

"Gjatë krizës së koronavirusit, në mars 2020, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve të mbrohen, mes të tjerave, edhe nga mediet. Sulmet fizike dhe paditë për shpifje që zyrtarët ngrenë kundër gazetarëve po ashtu mbajnë në vend klimën e pasigurisë dhe frikës, që bashkë me gjuhën denigruese të politikanëve, i kthen reporterët në objektiva të mundshëm agresioni. Ndërkohë autoritetet e vendit aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Europian," përfundon raporti i këtij viti për Shqipërinë.

Të ndodhur nën këtë valë presioni, gazetarët shqiptarë vitin e kaluar u nënvizua se detyrohen të ushtrojnë një vetëcensurë të skajshme, madje 80 për qind mendojnë të heqin dorë nga profesioni.

Situata në vendet fqinje gjithashtu vijon të paraqitet e paqëndrueshme.

Për liritë e medieve për 2020-ën të parat e rajonit renditen Bosnjë-Hercegovina e Kroacia në vendet 58 dhe 59, Kosova është përmirësuar me vende apo 14 pozicione para Shqipërisë, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi në vendin e 105.

Këtë vit, listën e "Reporterëve pa Kufij" e kryesojnë vendet skandinave si Norvegjia, Finlanda dhe Danimarka ndërsa Koreja e Veriut konsiderohet shteti me mediet më të censuruara në botë.

gazetare

/Ora News.tv/