Rehabilitohet një tjetër pallat në kryeqytet, Veliaj: Vendosni në ballkone flamujt kuqezi

Rehabilitohet një  tjetër pallat në kryeqytet, Veliaj: Vendosni

Shembulli i Thanas Dhespos, i cili dy vjet më parë me dëmshpërblimin për 16 vitet e vuajtjeve në burgjet e komunizmit rikonstruktoi fasadën e pallatit ku jetonte, është ndjekur edhe nga banorët e tjerë të lagjes. Pallati i radhës i rehabilituar nga Fondi i Komuniteteve ndodhet në Rr. Fadil Bodinaku, ku gjysmën e financimit e kontribuan banorët dhe gjysmën tjetër Bashkia e Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ftoi të gjithë banorët që të bashkëpunojnë me administratorin e pallatit të tyre, për të aplikuar pranë bashkisë për të përfituar nga Fondi i Komuniteteve.

Veliaj: Është një gëzim shumë i madh sa herë vjen në një lagje që po transformohet. Edhe në këtë zonë, që njihet si “Pallatet e INSIG-ut”, të bëra në vitet ‘94-95, sigurisht, pa ato rregullore të forta, pa mbikëqyrje, në vitet e rrumpallës ku secili mundohej të kandisej sipas mundësive me një shtëpi në Tiranë, cilësia linte për të dëshiruar. Janë pallate që kanë degraduar, që fusin lagështirë, që harxhojnë shumicën e faturës vetëm për ngrohje dhe ftohje se janë pa termoizolim. Por, është bekim i madh të qeverisës një qytet ku banorët merren vesh me njëri-tjetrin.

Krahas investimeve kryesore, një nga prioritetet e Bashkisë së Tiranës është projekti i “100 lagjeve”, me impakt të drejpërdrejtë tek komuniteti.

Veliaj: Po vazhduam me këto ritme, po mbështetëm njëri-tjetrin, po u bashkuam për të punuar dhe jo për t’u marrë me fjalë, do të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e dëgjesave për buxhetin, ku ata vetë na thonë se si duan që të shpenzojnë paratë e buxhetit të bashkisë dhe pastaj, ne do të marrim parasysh të gjitha kërkesat. Sigurisht, projekti kryesor ku do të fokusohemi është ai i “100 lagjeve”. Pra, siç kemi bërë gjërat e mëdha në Tiranë, tani duhet të futemi lagje më lagje, për të cekur çdo rrugicë dhe çdo minishesh që mund ta lirojmë për t’ua kthyer fëmijëve, të moshuarve dhe komunitetit.

Në prag të festave të nëntorit, kryebashkiaku ftoi banorët e kryeqytetit që të vendosin në ballkonet e shtëpive flamujt kuqezi.


EMISIONET