Shqipëria dështon të zbatojë reformat e tregut të energjisë elektrike. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë me seli në Vjenë kritikon qeverinë dhe veçanërisht Ministrinë e Energjisë në raportin periodik për ecurinë e reformave.

Sipas Sekretariatit, reformat mbeten vetëm në letër. Raporti periodik i publikuar me 1 nëntor thekson se Operatori i Sistemit të Transmetimit vijon të jetë i varur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nënvizon se ai mund të konsiderohet terësisht i pavarur kur kompetencat ti hiqen Ministrisë.

"Operatori i Sistemit të Transmetimit mund të konsiderohet terësisht i ndarë pas transferimit të kompetencave larg Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Por ndarja funksionale mes shpërndarjes dhe furnizimit është e vonuar.Tre kompanitë e reja të ndara ligjërisht të dedikuara për shpërndarjen, shërbimin universal dhe furnizimin me energji nuk kanë kapacitete të veprojnë të pavarura nga zotëruesi i aseteve dhe ofruesi i licencuar i gjithë shërbimeve që është integruar vertikalisht te OSHEE-ja".

Raporti i bën gjithashtu thirrje qeverisë shqiptare që të braktisë idenë e integrimit të OSHEE dhe OST që zotërohet nga KESH për shkak të ndikimit që mund të sjellë në konkurencë dhe likujditet.

Raportet e zbatimit të reformave publikuar nga Sekretariati marrin rëndësi themelore pasi ky i fundit është raportues direkt i përparimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Europian.

/Ora News.tv/