Takimi i kësaj të marte në selinë blu i kryedemokratit Basha, kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi dhe aleatëve të tjerë u finalizua me mandatimin  e dy "ndërmjetësuesve" për të arritur dakordësi me mazhorancën dhe opozitën e re parlamentare  për nje draft të përbashkët  për reformën zgjedhore.   Por Basha u kujdes të thoshte se  zgjidhja e krizës vjen vetëm nqpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. 

Pas rreth një vit krize të thellë politike, mazhoranca dhe opozita kanë hedhur hapin e parë për konsensus, kjo për reformën zgjedhore. 

Por Lulzim Basha u kujdes të ripërsëriste gjatë gjithë fjalës së tij, se zgjidhja përfundimtare e krizës kalon vetëm nëpërmjet zgjedhjeve.

Lulzim Basha: Prej tetorit opozita e bashkuar ka insistuar në një mekanizëm gjithë përfshirës dhe transparent për të përfunduar reformën zgjedhore që i paraprin zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kanë kaluar 4 muaj dhe procesi është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga pala tjetër. Opozita rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen pa vonesë dhe përmbylljen një ore e më parë të reformës zgjedhore dhe mandaton Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për të dakordësuar mekanizmin për ecjen përpara me miratimin e reformës zgjedhore duke i qëndruar të gjitha pikave të parashtruara në tetor.

Basha tha se reforma zgjedhore është kusht i panegociueshëm i Bundestagut gjerman, ndaj sipas tij opozita do të jetë e angazhuar për këtë reformë. 

Deklaratat e Bashës erdhën pas një takimi me aleatët e tij, ndërsa  ripërsëriti qëndrimin pro ndryshimit të sistemit edhe pse tha ai  nuk është problemi i proceseve zgjedhore në Shqipëri.


/Ora News.tv/