Reforma zgjedhore duhet të përmbyllet jo më vonë se data 15 mars e këtij viti. Ky është konkluzioni i arritur në takimin për gati 90 minuta që patën sot përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës parlamentare dhe politike. PS përfaqësohej nga Damian Gjiknurin, PD me Oerd Bylykbashin, opozita parlamentare me Rudina Hajdarin dhe LSI me Petrit Vasilin. Në tryezë gjithashtu është rënë dakord për krijimin e një Këshilli politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të komisionit të reformës dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend. Ky këshill do të mblidhet brenda këtij muaji për të autorizuar platformën e punës së procesit për reformën zgjedhore. Dokumenti i dalë nga tryeza ka marrë firmat e Gjiknurit, Bylykbashit dhe Vasilit. Rudina Hajdari, edhe pse është dakord në parim me konkluzionet e arritura, nuk ka firmosur.

Tirane - PS dhe PD ulen sërish në një tryezë të rrumbullakët në Pallatin e Kongreseve, pak metra larg zyrës së marrëveshjes Rama-Basha në 2017. Por ndryshe nga herët e tjera në diskutime u përfshinë edhe përfaqësuesit e LSI-së dhe opozitës parlamentare.
Pas rreth një viti nga djegia e mandateve, politika gjeti dakordësinë për reformën zgjedhore, tashmë edhe me veton e Partisë Demokratike.  Ashtu siç është kërkuar nga selia blu puna për reformën zgjedhorë do të zhvendoset në një komision ekstra paralmentar me praninë edhe të ekspertëve ndërkombëtarë, puna e të cilit pritet të përfundojë me 15 mars.

Palët, optimist pas takimit

Në mbyllje të takimit, Bylykbashi dhe Vasili e vlerësuan konsensusin një hap të rëndësishëm.

Oerd Bylykbashi: Ky dokument garanton atë që kemi kërkuar prej kohësh, reforma zgjedhore të bëhet me konsensus, të jetë gjithë përfshirëse. Do të kemi dhe asistencën ndërkombëtare.

Petrit Vasili: Është hedhur një hap në raport me një moment të rëndësishëm që ka të bëjë me plotësimin e një kushti kyç të Bundestagut lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim.Me përgjegjësinë e duhur dhe luajalitetin nga pala tjetër do të jetë mundësi për të ecur përpara dhe çliruar vendin nga damka e zgjedhjeve të manipuluara dhe të blera.

Në marrëveshjen e firmosur nga Gjiknuri, Bylykbashi, por jo nga Hajdari, thuhet se do të formohet Këshilli Politik ku 2 përfaqësues politik nga opozita jashtëparlamentare dhe ekspertët e saj do të punojnë me dy bashkëkryetarët e komisionit të reformës zgjedhore dhe ekspertët e atashuar pranë tij. Diskutimet në këtë këshill do të jenë vetëm për rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Edhe përfaqësuesi socialist, Damian Gjiknuri, e vlerësoi vullnetin e mirë për gjetjen e një forme dialogu me opozitën.

Ai tha se dakordësia mes palëve është për adresimin e rekomandimeve të ODIHR dhe jo ndryshimin e sistemit.

Damian Gjiknuri: Do përpiqemi të punojmë me konsensus me ndihmën e ekspertëve të ODIHR që do tu kërkojmë zyrtarisht të vijnë në Tiranë me qëllim që të adresojnë çështjet ku palët mund të ndahen. Sistemi është objekt i punës së komisionit të  reformës zgjedhore, do një dakordësi por nuk lidhet me rekomandimet e ODIHR.



Pavarësisht se Rudina Hajdari nuk ka firmosur paktin politik, në parim ajo është dakordësuar me diskutimet, por sërish sipas opozitës parlamentare duhet të jetë në “lojë” edhe ndryshimi i sistemit.

Rudina Hajdari: “Sot PD e LSI pranuan që rruga që do i jepte zgjidhje kësaj krize politikes është duke ardhur me ide e plane dhe jo molotovi e protesta. Sot diskutuam për këto plane rreth një kuadri bashkëpunimi, kjo patjetër kërkon kohë dhe konsensus. Vullneti i opozitës brenda parlamentit do të vazhdojë sa i takon ndryshimit të sistemit. Besojmë fort që shqiptarët të kenë një kod zgjedhor dhe sistem zgjedhor që u jep të drejtën për të pasur një përfaqësim dinjitoz brenda parlamentit. Ne zgjodhëm rrugën e duhur atë të shtetit dhe të institiucioneve”


Kryeministri Edi Rama edhe pse e ka cilësuar një vit të humbur, përgëzon rikthimin e opozitës në tryezën e dialogut. Ndërsa ambasadoi i BE Soreca e ka konsideruar hap të rëndësishëm në stabilitetin polik  dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Ne video deklarata e Petrit Vasilit dhe Oerd Bylylbashit ne mbyllje te takimit



Ne video deklarata e Damian Gjiknurit ne mbyllje te takimit



Ne video deklarata e Rudina Hajdarit ne mbyllje te takimit 


Opozita e bashkuar shkoi me 3 kërkesa në këtë tryezë

1. Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.

2. Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive.

3. Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike.




Pergatiti tekstin online Besjana Kuçana 


/Ora News.tv/