Reali i Madridit duket se ka lënë pas krizën, teksa pas fitores 4-2 ndaj Granadës kryeson pas tetë javëve të para me 18 pikë.

Një ecuri pozitive, ndryshe nga ajo që po kalon në Champions League dhe në infermieri. Dëmtimet kanë kushtëzuar shumë teknikun, Zinedine Zidane, planet e të cilit kanë marrë një goditje të fortë pas takimit të luajtur mbrëmjen e djeshme.

Mesfushori Toni Kroos ka pësuar një dëmtim muskular në këmbën e tij të majtë dhe pritet të mungojë dy deri në tre javë. Nga ky parashikim i "AS" vihet seriozisht në rrezik prezenca e gjermanit në takimin më kyç të kësaj faze, pikërisht "El Clasicon" ndaj Barcelonës.

Gjermani u largua nga fusha duke çaluar në pjesën e parë, ku i la vendin Modriç, i cili shënoi golin e tretë. Në këtë mënyrë ai i bashkohet listës së të lënduarve, Marcelo, Mendy, Nacho, Courtois dhe Asensio.

Kroos ishte thirrur nga Kombëtarja e Gjermanisë për ndeshjet e tetorit, por  sipas të gjitha gjasave do t'i humbasë. Reali i Madridit do të përballet me Barcelonën në "Camp Nou" më 26 tetorit dhe tani Kroos i duhet të luftojë me kohën për t’ia dalur për ndeshjen më të vështirë të sezonit.

/Ora News.tv/