Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi reagoi për pretencën e Prokurorisë për Ervin Salianjin.

Në një postim në Facebook ajo shkruan se pretenca e sotme e kryeministrit i tregon shqiptarëve që demokracia në vend është në rrezik eminent.

Postimi i plotë

Ky dhjetor i 29-të i demokracisë në Shqipëri, në vend që të na gjente  me një shtet të konsoliduar të së drejtës dhe me demokraci funksionale,  i cili do të ishte i denjë për familjen evropiane, fatkeqësisht po  shohim se po rrëshqet drejt një sistemi autokratik.

 Pretenca e  sotme e Edi Ramës, si autori real i saj, i lexuar nga dyshja e  prokurorëve të telekomanduar Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, ndaj  opozitarit Ervin Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, po i tregon  qartë të gjithë shqiptarëve që demokracia në vend është në një rrezik eminent. 

  Ky sulm i orkestruar politikisht duke përdorur gjithashtu edhe sistemin  e drejtësisë, prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët nën frikën e vettingut  janë gati që të bardhën ta bëjnë të zezë, u parapri edhe nga ngjarje të  tjera po kaq të rrezikshme në kurriz të demokracisë sonë të brishtë.

  Kërkesa për Azil e drejtorit ekzekutiv të Institutit për Studimin e  Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit z. Agron Tufa pas kërcënimeve të  marra për shkak të punës së tij, prishja e qëllimtë, pikërisht në datë 8  dhjetor e godinës nr.15 në Qytetin Studenti, që mbart simbolin e  revoltës studentore për demokraci si edhe paraqitja për miratim në  Kuvend e Paketës së Ndryshimeve Ligjore për nënshtrimin e plotë të  medias janë akte, të cilat po e rikthejnë Shqipërinë në vitet e errta të  diktaturës.

 Nga një qeveri e ardhur në pushtet nga votat e blera  dhe të rrëmbyera në bashkëpunim me bandat e krimit të organizuar dhe  paratë e oligarkëve të PPP nuk mund të presësh as demokraci, as shtet të  së drejtës, as zhvillim ekonomik, as integrim evropian. 

 Opozita  ka mision të saj parësor dhe kombëtar mbrojtjen e demokracisë,  mbrojtjen e fjalës se lirë dhe medias, mbrojtjen e votës së lirë. Asgjë  nuk është më e shtrenjtë dhe më me vlerë se liria. Opozita së bashku me  qytetarët shqiptarë nuk do rreshtin së luftuari për një demokraci reale  dhe funksionale.

 Sot pas 29 vitesh, fatkeqësisht, po i rikthehemi  me forcë po të njëjtave thirrje, të cilat ushtuan nga studentët:  “Poshtë diktatura” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

/Ora News.tv/