Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se nuk janë mburrojë për persona të cilët preken nga ligji i dekriminalizimit.

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, Balla duke folur për Valdrin Pjetrin dhe Agim Kajmakun tha se përgjegjësia është personale, por kanë parashikuar ashpërsim përmes mekanizmave ligjore.

Për rastin e Valdrin Pjetrit, Balla tha se i kanë kërkuar falje popullit të Shkodrës.

Balla:  Nisur referuar rastit të Valdrin Pjetrit, për shkak të një përgjegjësie personale nuk u betua për të qenë kryetar i bashkisë Shkodër. Kryeministri ka rishprehur atë që ka thënë dje në këshillin drejtues të rajonit të veriut, domosdoshmërinë që këtë përgjegjësi personale të personave të cilët nuk deklarojnë të shkuarën e tyre ne ta ashpërsojmë përmes mekanizmave ligjorë të cilat në rast se një person që ka detyrim deklarimin të ndëshkohet më ashpër sesa parashikohet sot në legjislacionin aktual. Ligji i dekriminalizimit është i rëndësishëm, ne kemi kaluar ashpërsime të tjera në kodin penal. Sa më i fortë është ligji aq më i fortë është zbatimi nga kushdo.

Që ditën e parë që është vërtetuar nga ajo që është referuar në media, mospërputhshmëria e kandidaturës së Valdrin Pjetri me pritshmëritë e popullit të Shkodër, i kemi kërkuar ndjesë për këtë kandidaturë, por përgjegjësia është personale.

Rasti i Agim Kajmaku

Në çdo rast PS ka vënë një standard në politikën shqiptare, kurrë nuk kemi bërë mburojë për askënd. Në rast se forcat e tjera politike merrnin gavetat dhe ushqenin Xhelal Mziun në derë të burgut PS nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë kurrë.

Riformatim i PS Shkodër

Kishim një mbledhje Kryesie të Partisë e cila ishte tërësisht e fokusurar tek prezantimi i bërë nga unë si Sekretar i Përgjithshëm lidhur me një agjendë pune intensive për një ripërtëritje të regjistrit të anëtarësisë së partisë. Që paraprin procesin zgjedhor në Partinë Socialiste që fillon në mes të shtatorit dhe përfundon rreth muajit shkurt kur do të jetë edhe Kongresi që do të zgjedhë edhe strukturat e reja drejtuese të Partisë Socialiste.

Siç e dini Partia Socialiste është e vetmja forcë politike në vend që është në një proces të vazhdueshëm ristrukturimi.

Për këtë qëllim në pjesën e dytë të mbledhjes, edhe për shkak të përkimit të parashikimeve statutore, ne kemi argumentuar nevojën që në strukturën e Partisë Socialiste të Bashkisë Shkodër të ndërmarrim një hap të rëndësishëm rigjenerimi.

Në fakt rigjenerimi dhe ringritja e strukturave është një proces që për shkak të zgjedhjeve do të zhvillohet në të gjitha bashkitë, por me një fokus të veçantë në Shkodër.

Në vlerësimin tonë në disa palë zgjedhjesh rezultatet në Shkodër nuk kanë qenë ato të dëshiruarat për partinë më të madhe në Shqipëri. Për këtë qëllim kemi marrë një vendim për të pasur një vëmendje të veçantë, qoftë unë si Sekretar i Përgjithshëm, qoftë gjithë Sekretariati do të jemi shumë të angazhuar për ta ndjekur me një vëmendje tërësisht të veçantë procesin e riformatimit të Partisë Socialiste Shkodër.

Jam shpresëplotë se në Partinë Socailiste të Shkodrës do të ndërtojmë një model konkurues dhe ofertë ashtu siç i ka hije Shkodrës loce.

/Ora News.tv/