Raporti vjetor i antidrogës italiane: Shqipëria rrugë kryesore e trafikimit të marijuanës drejt Italisë

Raporti vjetor i antidrogës italiane: Shqipëria rrugë kryesore e

Shqipëria mbetet rruga kryesore e trafikut të marijuanës në Itali e grupet kriminale shqiptare ndër më aktivet në trafikun e lëndëve narkotike të tipit marijuanë, kokainë e heroinë, me një nivel organizimi gjithnjë e më i sofistikuar.

Italia më 2019 ka regjistruar rekordin e sekuestrimit të kokainës i verifikuar gjatë 10 viteve të fundit e shumica e kësaj sasie trafikohej për interes apo me ndërmjetësimin e trafikantëve shqiptarë në bashkëpunim me mafien e krimin e organizuar italian.

Shërbimi i Antidrogës Italiane ka publikuar raportin më të fundit vjetor të të dhënave relative të trafikut të lëndëve narkotike në Itali, rrugët kryesore të trafikimit të drogës e grupet e organizatat kriminale që merren me këtë aktivitet.

Viti 2019 shënon në Itali vitin rekord të sekuestrimit të kokainës me një rritje me 127.61% në krahasim me vitin 2018.

Në 2019 janë sekuestruar 8.3 tonë kokainë e cila shënon rekordin absolut që prej 2010.

Në shumicën e operacioneve të sekuestrimi të kokainës është zbardhur roli dominues i trafikantëve shqiptarë.

Në raportin e Antidrogës Italiane theksohet se Shqipëria mbetet rruga kryesore e trafikimit të marijuanës drejt Italisë.

Në 2019 janë kryer disa operacione të suksesshme që kanë çuar në sekuestrimin e mjeteve lundruese të fuqishme e të sasive të mëdha marijuane nga Shqipëria. Më prill të 2019 autoritetet italiane të Leçës sekuestrojnë një gomone me 1 tonë e gjysmë marijuanë e arrestuan 2 skafistë shqiptarë.

Në operacionin "Sabbia 20186" ekzekutuar nga antidroga e Firences u sekuestruan 437 kg marijuanë e trafikuar me gomone nga Shqipëria drejt Puglias dhe e shpërndarë më pas në territorin e Firences e Romë.

Raporti i Antidrogës italiane nënvizon se grupet kriminale shqiptare janë ndër më aktivet në trafikun e lëndëve narkotike në Itali me një nivel organizimi gjithnjë e në rritje.

"Afërsia gjeografike mes Shqipërisë e Italisë ka lehtësuar bashkëpunimin e grupeve kriminale pulieze e shqiptare në furnizimin, magazinimin e tregtimin e lëndëve narkotike", shkruan raporti. Lidhjet e tyre kanë një referencë të veçantë bashkëpunimi në territoret e Puglias, Jon-Salento e Foggias.

"Grupet kriminale shqiptare shkruan raporti i antidrogës Italiane, historikisht në emigrim kanë transportuar skema kriminale të adoptuar më parë vendin e tyre të origjinës duke ngritur vit pas viti nivelin e një kriminaliteti sa më profesional. Grupet kriminale shqiptare bazohen në lidhje gjaku, që i rezistojnë bashkëpunimit me drejtësinë e bashkëpunojnë me shqiptarë të tjerë që jetojnë në rajonin e Ballkanit të lidhur nga gjuha e përbashkët e nga elementi etnik."

Sipas Antidrogës italiane grupet kriminale shqiptare janë gjithnjë e më përfshirës në trafikun e kokainës përmes porteve në Hollandë e Belgjikë. Trafikimi i kokainës bëhet me automjete të modifikuar e me bashkëpunimin i elementëve kriminalë vendas.

Operacioni i vitit 2019 i koduar "Buslijnen" e i ekzekutuar nga Guardia di Finanza e Firences çoi në shkatërrimin e një grupi trafikantës shqiptarë që trafikonin drogë nga Holanda e Shqipëria drejt Italisë e që çoi në sekuestrimin e 18 kg kokainë e 500 kg marijuanë si dhe në arrestimin në flagrancë të 7 personave.

180 kg kokainë e trafikuar nga Holanda u sekuestrua më 2019 në Itali gjatë operacionit të koduar "AQUILA NERA" i cili vuri në pranga 9 trafikantë shqiptarë të akuzuar dhe për trafik heroine e armësh,

61 kg të tjera kokainë të trafikuar nga shqiptarë janë kapur më 2019 dhe gjatë operacionit të koduar "Grande Raccordo Criminale31". Bashkë me këtë sasi kokaine u sekuestruan dhe 3700 kg marijuanë që mbërrinte në Romë përmes trafikantëve shqiptarë e italianë.

Për trafikun e kokainës grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë me mafien kalabreze Ndrangheta, për trafikimin e heroinës bashkëpunojnë me organizatat kriminale me veprim në rajonin e Puglia e Kampanja dhe për trafikimin e marijuanës e derivateve të kanabisit me grupet kriminale puglieze, siciliane e laciale (në territorin e provincës së Romës).

Grupet kriminale shqiptare kanë luajtur një rol protagonist dhe në trafikun e heroinës drejt Italisë gjatë 2019. Operacioni i koduar "The Transporter 2018" i ekzekutuar nga antidroga e Barit çoi në sekuestrimin e 120 kg drogë e tipit heroinë e marijuanë e në arrestimin e 3 trafikantëve shqiptarë.

Gjatë viti 2019 janë 349 shtetas shqiptarë të vënë nën masë ndalimi nga autoritetet italiane për trafik marijuane e hashashi e 6 shqiptarë të tjerë me akuzën e trafikut të kokainës. Gjithashtu më 2019 në Itali janë arrestuar 23 minorenë shqiptarë me akuzën e trafikut të drogës.

Shqipëria e rrugët e trafikimit të drogës

Një zë të veçantë në raportin e antidrogës italiane zë dhe Shqipëria nga e cila nënvizon ky raport, "transportohen kryesisht derivatet e kanabisit me destinacion Italinë dhe Evropën."

Trafikimi i kësaj droge, thuhet në raportin italian kryhet drejtpërdrejt nga Shqipëria përmes detit apo indirekt nga Greqia. Marijuana e hashashi vjen nga Shqipëria dhe përmes rrugës Ballkanike, Mal i Zi, Bosnjë Hercegovinë, Kroaci e Slloveni.

"Gjatë dy viteve të fundit nënvizon raporti, është vënë një reduktim i dukshëm i këtij trafiku nga Shqipëria drejt Italisë në këto rrugë që nënkupton një rënie interesi të trafikantëve për përdorimin e saj,"

Sipas antidrogës italiane trafikantët shqiptarë përdorin marijuanën e kanabisin për t'i shkëmbyer me heroinë me grupet e trafikantëve në Turqi.

Raporti kujton operacionet e bashkëpunimit për vëzhgimin nga ajri të plantacioneve me marijuanë në Shqipëri nga autoritetet e Guardia di Finanza.

Por të dhënat mbeten të përditësuara deri më 2018 të vëna në dispozicion nga autoritetet policore shqiptare që informojnë se gjatë 10 muajve të parë të 2018 kanë sekuestruar 35.985 bimë kanabis kundrejt 208.308 rrënjë të sekuestruar në të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

EMISIONET