Partia Demokratike e ka cilësuar raportin e fundit të Bankës Botërore një tjetër këmbanë alarmi për rritjen e korrupsionit në administratën publike.

Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja Jorida Tabaku, duke cituar shifrat e raportit thekson se sipas Bankës Botërore janë 44% e bizneseve shqiptare që ankohen se korrupsioni është kthyer në një pengesë kryesore për punën e tyre.

Tabaku: Sondazhi në fjalë i paraqitur më pas si një raport krahasues është një tjetër provë që i shtohet dosjes së madhe të korrupsionit që PD ka nisur të denoncojë që në ditët e para të kryeministrit Rama.Këto shifra janë tregues kokëfortë që Rama dhe klika e tij në pushtet kanë krijuar një rrjetë merimange të korrupsionit ku çdo biznes i duhet të paguajë për të mbijetuar.Ndërkohë që kompanitë që ankohen se taksat janë pengesë serioze për zhvillimin e biznesit për vitin 2019 janë 48.8%, kjo vlerë është 3 herë më e lartë se sa viti 2013.Bizneset që identifikojnë administratën tatimore si pengesë serioze në biznesin e tyre janë 29% një vlerë 2 fish më e lartë se sa në vitin 2013.

Tabaku foli dhe për zgjidhjet që do të japë PD me të ardhur në pushtet.

Tabaku: Partia Demokratike do t’u ofrojë bizneseve jo vetëm taksa më të ulëta, por treg të lirë e të konkurueshëm, duke u dhënë mundësinë që kohën e shenjtë të punës dhe biznesit mos ta kalojnë duke llogaritur gjobat për ofiqarët e tatimeve dhe as duke paguar kafet e qeveritarëve për tendera.Nuk do të ketë më asnjë zyrtar a taksidar në zyrat e biznesit, ku pulla fiskale do të bëjë të mundur që askush të mos i bjerë dyerve të biznesit!Ne besojmë tek konkurenca e lirë dhe tek tregu i lirë.

Sipas raportit të BB, niveli i korrupsionit në Shqipëri ka njohur rritje në 6 vitet e fundit duke u bërë 3 herë më i lartë se në rajon.


/Ora News.tv/