Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj njoftoi sot (19 korrik) dorëheqjen e parevokueshme pasi është thirrur per tu marrë në pyetje si i dyshuar në Dhomat e Prokurorisë Speciale të Hagës. 

Ramush Haradinaj: "Sapo e informova qeverinë. Kam dhënë dorëheqje të parevokueshme prej funksionit të kryetarit të qeverisë. Nga ky moment kam dhënë dorëheqjen në qeveri. Arsyeja është se jam ftuar të intervistohem si i dyshuar nga Dhoma e Posaçme, pra Gjykata e Specializuar. Javën tjetër do kem paraqitjen dhe nuk mendova se nuk mund të paraqitem si kryetari i qeverisë atje por si një qytetar, si Ramush Haradinaj apo si kryetar qeverie i dorëhequr. Por me ruajtur nderin e kryetarit të qeverisë dhe të shtetit mendova se është e drejtë ta marr këtë vendim.

Kosova është vend multietnik me demokraci euroatlantike është e paprekshme edhe në territor edhe në kufi dhe në vlerat e veta. Janë dy aspekte. Mund të  flasim për pjesën politike dhe pjesën ligjore.

Unë do ta respektoj pjesën ligjore në tërësi për tu paraqitur, do kryej detyrat e mia, pastërtinë time, të një luftëtari shqiptar, të nderit tim, familjes sime dhe do ta mbroj Kosovën si luftëtar i vendit tim. Ndërsa pjesa politike mendoj se është shumë gabim që po provohet ti kërkohet Kosovës një çmim të papërballueshëm për njohjen ose arritjen e një marrëveshje. 

Mendoj se është gabim i lidershipit të Kosovës të ofrojë oferta të gabueshme. Duhet bërë kujdes."

Kur u pyet nga gazetarët se kur ka ardhur ftesa, për cilin rast bëhet fjalë dhe nëse kishte më parë dijeni se ishte i ftuar prej Gjykatës Speciale, Haradinaj u përgjigj:  Nuk di asgjë prej këtyre, janë detaje ligjore. Ajo që mund të them është se  jam ftuar të paraqitem dhe të kryej obligimet ligjore.

Haradinaj sërish në zgjedhje për kryeministër - Me këtë dorëheqje, qeveria në dorëheqje i kryen detyrat e veta deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të lira. Përgjegjësia kalon tek Presidenti që ai të fillojë konsultat dhe të përcaktojë datën e zgjedhjeve me partitë politike në bazë të afateve kohore kushtetuese. Unë i ofrohem prapë popullit për të marrë besimin për shkak se nuk jam i akuzuar por i intervistuar. Për aq sa populli më jep besim do ta respektoj, do garoj në zgjedhje edhe unë edhe subjekti politik që përfaqësoj por nuk kam mundur ta çoj shtetin e Kosovës dhe kryetarin e qeverisë pa një reflektim, pra do ishte një pozitë e rëndë për Kosovë, do ia rëndoja Kosovës dhe ndërmora këtë veprim.

"Vendimi jo i lehtë, Kosovën nuk e pështëron dot askush" - Nuk është vendim i lehtë, jo vetëm për mua por për të gjithë njerëzit që punoj, qeverinë, kolegët ndaj të gjithëve. Por ky është realiteti. Unë nuk e kam zgjedhur këtë realitet. Në një realitet të tillë gjykimi është a dëshiron të shkosh si kryetar qeverie të ulesh para hetuesve apo jo? Nuk mendoj se duhet t'ia bëj këtë Kosovës, duke shkuar në detyrë atje edhe nuk ia bëj.

Kosova duhet bërë gati për zgjedhje. Është mirë të kuptojmë të tjerët që jemi sovran, jemi njerëz të këtij vendi dhe kemi nderin tonë.

Nuk është një nder në treg për vlera tjera. Nderi ynë dhe i luftëtarit  shqiptar, dhe i vendit, i shtetit, kryetarit të qeverisë, nuk është i poshtërueshëm nga askush edhe pse jemi vend i ri i vogël, nuk do mundet kush ta poshtërojë Kosovën asnjëherë.

Presidenti vendos në bazë të kompetencave të veta. Unë vlerësoj që kërkesa e drejtë është që mandati ti kthehet sovranit, jo i të tjerëve, por popullit dhe ai vlerëson se çfarë të bëjë më tej.

Ai do të paraqitet javën tjetër në Dhomat e Specializuara ku do të merret në pyetje nga hetuesit e Gjykatës Speciale.

Kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka dhënë për herë të dytë dorëheqjen për shkak të thirrjes si i dyshuar në Dhomat e Prokurorisë Speciale të Hagës, ndërsa një veprim të njëjtë e kishte provuar edhe në vitin 2005.

Kjo është hera e tretë që Haradinaj ftohet nga drejtësia ndërkombëtare, ndonëse këtë herë si i dyshuar pa aktakuzë. Por në dy gjykimet ndërkombëtare që zgjatën për tetë vjet, Haradinaj u shpall i pafajshëm.

Reagimet për dorëheqjen e Haradinajt - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se është njohur nga mediat me dorëheqjen e Haradinajt ndërsa shtoi se e respekton vendimin e kryeministrit ndërsa më tutje do veprojë sipas kompetencave kushtetuese.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së,”-shprehet Thaçi.

Ai vë në dukje pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë që nuk mund të cenohen nga askush.

Kryetari i PD, Lulzim Basha në një reagim thekson se dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj është akti i një njeriu që vë atdheun mbi gjithçka.

“Askush dhe asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën sublime të familjes Haradinaj në altarin e lirisë!"- theksoi Basha.

Ndërkaq ish kryeministri Pandeli Majko është shprehur se me aktin e dorëheqjes Haradinaj veproi si burrë shteti.

“Sot jam me Ramushin! Të falënderoj komandant për shembullin e luftës, dhe sot në atë të paqes”, shkruan Majko në reagimin e tij.


/Ora News.tv/