Rama sms deputetëve: Asnjë koment për vendimin e Presidentit për Lleshin
Fill pas lajmit për mosdekretimin e Ministrit Sandër Lleshi nga presidenti Ilir Meta, kreu i qeverisë Edi Rama u është drejtuar me një sms deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Në mesazhin e siguruar nga Ora News, Rama u kërkon ligjvënësve socialistë të mos komentojnë vendimin e kreut të shtetit.
"Lutem asnjë lloj komenti askujt për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t'i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni".
Presidenti Ilir Meta nuk pranoi të dekretojë Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm në qeverinë e Ramës.
Zëdhënësi i zotit Meta njoftoi përmes një mesazhi të shkurtër se “Presidenti Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm”.
Edhe pse Kushtetuta nuk i linte asnjë hapësirë Presidentit për t’u shprehur kundër apo për të rrëzuar kandidaturën, Presidenti vendosi që përmes zëdhënësit të tij të refuzojë propozimin e Kryemininistrit, duke shënuar në këtë mënyrë precedentin e parë që një kryetar shteti nuk shprehet pro propozimit të Kryeministrit për një ministër.