Rama sfidon protestën e artistëve, inspekton punimet në TOB

Rama sfidon protestën e artistëve, inspekton punimet në TOB

Duke inspektuar punimet për ndryshimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, kryeministri Rama ka dhënë edhe një mesazh për protestuesit kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Ai tha se pavarësisht kundërshtive dhe politikës së pengimit, artistët do të luajnë në teatro me standarte njëlloj si ato të vendeve të zhvilluara të botës.

Në një kohë që Aleanca për mbrotjen e teatrit dhe opozita nisën protestën, kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetin e tij social Facebook një regjistrim të vizitës së tij në mjediset e rikonstruktuara të Teatrit të operas dhe Baletit.

I shoqëruar edhe nga ministrja e kulturës, Elva Margariti ai inspektoi punimet, si një mënyrë për të thënë se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me teatrin e shembur.

Në postimin e bërë në Facebook, Rama shkruan se kjo hapësirë artistike është transformuar e do u japë mundësinë artistëve që të ndjehen njësoj si në teatrot më të mirë në mbarë botën.

“Sot në hapësirën e transformuar rrënjësisht të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku pas 70 vjetësh solistët, trupa jonë, si edhe talentet e mëdha të muzikës lirike e simfonike shqiptare që shkëlqejnë nëpër botë, do të ndjehen më në fund njësoj si në Milano, Londër, New York apo Tokio, m’u kujtua një grevë urie e artistëve që këndonin korin e skllevërve të “Aidës” me rripa të kuq në kokë, duke luftuar kundër idesë sime si ministër kulture asokohe, për reformimin radikal të sistemit teatror"!

Kreu i qeverisë nuk ka lënë pa shkruar dy fjalë edhe për Teatrin Kombëtar

"Plot dy dekada të humbura mes lagështisë, pluhurit, vapës e të ftohtit, degradimit të viteve dhe rënkimeve të dërrasave të skenës e të karrigeve, qoftë këtu e qoftë në të ashtuquajturin Teatër Kombëtar, ku arsyeja e mosarsyes e bashkuar me politikën e pengimit të çdo pune, krijuan vitet e fundit një shesh të radhës, për një përshesh të radhës" shkruan Rama.

Pavarësisht protestës gati dy vjeçare të artistëve e aktivistëve në mbrojtje të teatrit Kombëtar, godina historike u shemb natën e së shtunës duke gdhirë e diela.

Kjo solli protesta të aktivistëve dhe përplasje të tyre me policinë, e cila dhunoi jo vetëm ata por edhe përfaqësues të medias.

EMISIONET