Vendimi për t'i kthyer pasaportën ish minisrit Saimir Tahiri është një nga provat se drejtësia shqiptare është tashmë e kapur nga kryeministri Rama. Nga Lezha kreu demokrat Lulzim Basha artikuloi këto akuza për kreun e qeverisë duke thënë se çështja Tahiri ishte ajo që vulosi fatin e qeverisë dhe të kreut të saj.

Për kryetarin demokrat Lulzim Basha vendi ndodhet në udhëkryq vendimtar, ku vendi nuk ka një qeveri dhe kryeministër, por ka një bandë dhe kapobandë, që e ka kthyer vendin në zonë të lirë për krimin.

Gjatë një  takimi në Lezhë ai tha se  efektin e parë të emërimit të kryeprokurores e dha vendimi për t'i rikthyer pasaportën ish minsitri Tahiri.

Basha: “Efektin e parë të emërimit të Ramës kryeprokuror e patë me kthimin e pasaportës tek Saimir Tahiri. Ky është fillimi i një akti antikushtetues, i cili përqëndron pushtetin e drejtësisë në duart e personit që duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe i jep një goditje, ndoshta vdekjeprurëse, reformës në drejtësi”

Për Lulzim Bashën skandali i Saimir Tahirit, ka vulosur fatin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Basha: “Prandaj ju them sot, se qeveria e Edi Ramës është e vdekur politikisht dhe ai vetë është një kufomë politike i diskredituar para shqiptarëve, i diskredituar para faktorit ndërkombëtar. Ata që deshën t’i japin një shans të fundit Edi Ramës, shqiptarë dhe të huaj, kanë parë dhe po shohin sa po u kushton kjo.”

 Dhe Basha e ka një mesazh për çdo shqiptar që ka ende shpresë të jetoj me dinjitet në këtë vend.

Basha:  “Detyra jonë është që të bëjmë bashkimin më të madh të shqiptarëve që nga viti i themelimit tonë, të bëhemi zëdhënësit dhe përçuesit e kësaj shumice absolute të shqiptarëve dhe t’u themi se rrugëdalja nuk është as rënia në depresion, as vetëflijimi, as tragetet, as emigrimi, as avioni por bashkimi në sheshet e protestës.”

Kreu demokrat ka nisur turin e takimeve në bazë që i paraprin protestatve të paralajëmëruara në muajin janar nga opozita shqiptare.

/Ora News.tv/