Rama premton ulje të taksave për biznesin dhe heqjen e kasave fiskale

Rama premton ulje të taksave për biznesin dhe heqjen e kasave fiskale

Në një takim me operatorët turistik në Durrës, Rama tha se tatimi mbi fitimin për bizneset deri në 140  milion lekë xhiro në vit do të jetë vetëm 5 përqind. Rama tha se po punohet për formalizmin e biznesit në fushën e turizmit, ndërsa njoftoi uljen e taksave dhe për ata qytetarë që investojnë në agroturizëm. 

Në një takim me operatorët turistik në Durrës, kryeministri Edi Rama premtoi një paketë fiskale që ul ndjeshëm taksat për biznesin.

Teksa prezantoi masat e ndërmarra për sezonin turistik, Kryeministri premtoi uljen me trefish të tatimit mbi fitim për biznesin deri në 140 milion lekë xhiro në vit.

Rama: Janë praktikisht 91% e të gjithë bizneseve në Shqipëri, ne do të kalojmë nga 15% në vetëm 5% të tatim-fitimit.

Kryeministri tha se po punohet gjithashtu që  transaksionet e biznesit të regjistrohen online, duke paralajmëruar në këtë mënyrë heqjen e kasave fiskale.

Rama: Regjistrimi në kohë reale i çdo transaksioni është domosdoshmëri dhe teknologjia e re na e jep këtë mundësi duke i lehtësuar shumë kompanitë, bizneset nga barra e rëndë e mirëmbajtjes së kasave.

Teksa i bëri thirrje emigrantëve dhe sipërmarrësve që të investojnë në agroturizëm, Kryeministri premtoi investime në infrastrukturë.

Rama: Për agroturizmin ne kemi vendosur të bëjmë të njëjtin trajtim si për hotelet me 4 apo 5 yje, duke e ulur TVSH-në vetëm 6%, duke e lënë tatim-fitimin vetëm 5%, duke hequr çdo taksë tjetër për lejen e ndërtimit e me radhë.

Ka ende punë për formalizmin e biznesit turistik tha Rama,  por sipas tij në këto vite janë bërë shumë hapa përpara, e kjo sipas tij konfirmohet dhe nga prania e turistëve nga vendet skandinave.

Në këtë pikë, me batutë kishte një propozim për bizneset në fushën e turizmit.

Ambicia e qeverisë tha Rama, me ulje taksash dhe rritje investimesh, është që numrin e turistëve në 10 vitet e ardhshme ta çojë në 10 milion.

EMISIONET