Rama premton hapjen e tunelit të Llogarasë dhe i kërkon Gjiknurit traget të ri për Vlorën

Rama premton hapjen e tunelit të Llogarasë dhe i kërkon Gjiknurit

Tuneli i Llogarasë dhe aeroporti i Vlorës, janë dy nga investimet që parashikohen për tu realizuar në vitin e ardhshëm në qytetin bregdetar.

Kryeministri, Edi Rama, në prezantimin e buxhetit për vitin 2019 është shprehur se tashmë do të punohet që në Shqipëri të ketë turizëm në çdo stinë të vitit.

Rama: Do të fillojmë rrugën Orikum-Llogara dhe Ministri do të mbajë zotimin e tunelit të Llogarasë. Është koha që tunelin ta bëjmë realitet. Nga ana tjetër do të nisim vijimin e Lungomares deri tek tuneli i Ujit të Ftohtë. I vetmi vend në botë ku shtëpia e pavarësisë  është e rrethuar nga kioska. Vitin e ardhshme do të nisë ndërtimi i aeroportit. Mos më shkruani mesazh nesër se pse nuk e ndërtove aeroportin. Ai do të bëhet brenda mandatit, por se kur këtë nuk mund ta them.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe tek porti i Vlorës për të cilin tha se i ka lenë një porosi Ministrit të Infrastrukturës.

Rama: Porti i Vlorës, i kam thënë ministrit: O sezonin e ardhshëm sillu vlonjatëve, traget që meriton të quhet traget, o nuk mund të jesh më as drejtues e jo deputet në Vlorë. Ministri, Damiani bën mire ta marrë seriozisht. Nga mars-prill, traget dhe ky traget që është sot duhet të zhduket nga Vlora dhe të mos vijë më në Vlorë.

Bulevardi i ri, do të jetë bulevardi më i bukur i Shqipërisë. Më vjen mire që pas 70 vitesh do të mbyllim përfundimisht grykën e ujërave që derdhen në det. Lungomare do të jetë vijë urbane e mrekullueshme.

Kryeministri deklaroi se qeveria ka në fokus investimet edhe në sektorin e hekurudhave.

Rama: Kemi për here të pare pas 30 vitesh buxhet për hekurudhat, për të ndërtuar hekurudhë. Hekurudha e re të shpejtësisë së lartë, Tiranë-Rinas-Durrës  nis vitin e ardhshëm. Dhe do të rindërtojmë plotësisht linjën Fier-Vlorë të hekurudhës. Do të lehtësohen bizneset.

Duke folur për kritikët e projekteve Partneritet Publik Privat, Kryeministri shtoi se ato kanë rezultuar të suksesshëm dhe se borxhi nuk rrezikohet.

Ministri Damian Gjiknuri nënvizoi nga ana e tij se koncesionet do të sjellin zhvillim. Një tjetër investim në Vlorë do të jetë dhe prodhimi i energjisë diellore.

Duke folur mbi projektet, Gjiknuri ka theksuar se do të financohen 8 milionë euro për sistemin e menaxhimit të ujërave të zeza.


EMISIONET