Rama nuk ikën pas dështimit me negociatat: As nuk bëhet fjalë për të kënaqur askënd!

Rama nuk ikën pas dështimit me negociatat: As nuk bëhet

"Nuk ka tekst, nuk ka asgjë të shkruar, zero".

Vendimin negativ të Brukselit për hapjen e negociatave të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama nuk e lexon si përgjegjshmëri të qeverisë së tij, por si duel mes Francës dhe Gjermanisë.

Rama: Kjo është një përplasje mes të mëdhenjve dhe një "lojë" qasjesh dhe interesash që është shumë më e madhe sesa ne.

Por ndryshe nga homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Edi Rama nuk ndihet as përgjegjës moral për të dhënë dorëheqjen apo për të kërkuar mocion besimi nga parlamenti.

Rama: As nuk bëhet fjalë për të kënaqur askënd që nuk ka punë apo nuk di ti gjejë punë vetes.

Pas deklaratës së Macron se nuk kishte një ndarje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut vetëm për shkak të frikës së ndonjë kryengritjeje të shqipfolësve, shefi i mazhorances shqiptare e mohoi që Maqedonia u sakrifikua për shkak të Shqipërisë.

Rama: Jo nuk është e vërtetë, predikimi që Maqedonia e Veriut e paska pësuar nga Shqipëria është një tjetër predikim i lodhur që bëjnë çmos për ta penguar këtë proces.

Por pavarësisht se nuk ka një datë për hapjen e negociatave, qeveria është e angazhuar që 2 parakushtet e Bundestagut gjerman të plotësohen para fundvitit.

Rama: Reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR do ta mbarojmë përpara vitit të ri në parlament. Pas vitit të ri jemi të gatshëm të diskutojmë për temat e tjera të reformës, të hapur, do ta bëjmë me dy shkallë.Një nga temat e diskutuara është dhe një temë e jonë që ka të bëjë me votën e emigrantëve.

Nuk do ta fusim në këtë shkallë të parë të reformës sepse do të merremi vetëm me rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe para vitit të ri ne do ta kemi kryer këtë proces dhe do ta kemi shënuar si të kryer një kërkesë të Bundestagut, por që prapë i vlen Shqipërisë, sistemit tonë zgjedhor, procesit tonë elektoral se nuk do të ketë më komisione elektorale me parti politike. Kjo do të mbarojë para vitit të ri, duan apo nuk duan ata që me të drejtë kërkojnë përgjegjësi nga unë pse BE nuk po funksionon si duhet.

Kryeministri e shikon BE, si të vetmen alternativë, por se kur shqiptarët do të votojnë për PE, me batutë Kryeministri vuri mjekrën e tij si njësi matëse.

Rama: Në kohën kur unë kam dalë në rrugë për të kërkuar Shqipërinë si gjithë Europa i kisha të gjitha flokët dhe kam përshtypjen se nëse do t'ja lëmë mjekrës të dëshmojë mund të bëhet më e gjatë se flokët tua(i drejtohet gazetares) përpara se ta plotësojmë dëshirën.



EMISIONET