Rama nuk i trembet flukseve migratore: Kemi pritur 500 mijë refugjatë lufte

Rama nuk i trembet flukseve migratore: Kemi pritur 500 mijë refugjatë

Kryeministri Edi Rama nuk i trembet flukseve migratore që mund të përfshijnë vendin tonë. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nisjes së punës operacionale të misionit Frontex në Shqipëri, Rama tha se Shqipëria e vogël ka pritur 500 mijë refugjatë lufte nga Kosova.

Edi Rama:  Falë jush dhe përmes jush ne do të jemi në gjendje t'i tregojmë miqve tanë të BE edhe më mirë, edhe me më shumë fakte dhe prova të pakundërshtueshme shprehjen e vullnetit tonë të palëkundur për të qenë në këtë copëz të vogël të Evropës një partner i besueshëm dhe një vend tërësisht i besueshëm edhe në aspektin e kësaj sfide të madhe evropiane të përballimit me flukset migratore dhe me emigracionin e paligjshëm.

Nisja e zbatimit të këtij projekti, një marrëveshje që e bën Shqipërinë të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të monitorojë të gjithë perimetrin e saj të jashtëm bashkë me 50 trupa të Agjencisë Evropiane të Ruajtjes dhe Patrullimit tëK nga 11 vende anëtare përbën një arsye për të qenë të vetëdijshëm sesa e rëndësishme është të kemi sukses në këtë projekt edhe në funksion të zgjerimit të projektit me vendet e tjera.

Me këtë marrëveshje Shqipëria kthehet në një kontributor, por edhe në luftën kundër krimit të organizuar e vendos Shqipërinë në një pozicion më të veçantë sesa deri më sot, qoftë në aspektin e dhënies së kontributit, qoftë edhe në aspektin e përfitimit nga pjesëmarrja në këtë projekt

Përfitimet në fakt janë disa, pasi marrëveshja i hap rrugë bashkëpunimit më të afërt sa i përket shkëmbimit të informacionit, analizës së riskut dhe përballimit të flukseve migratore nga vende të treta.

Shqipëria është përballur me një rritje të flukseve të migracionit 6.7 herë më shumë në 2018 krahasuar me 2017 dhe 26.4 % më shumë këtë vit në janar - prill krahasuar me një vit më parë.

Ne nuk jemi një vend ku ata që vijnë shihen si rrezik apo problem, për arsye të traditës tonë dhe nuk jemi një vend ku janë dëgjuar klithma për shkak të prurjeve nga vendet e tjera, por jemi një vend që jo shumë larg në kohë ka strehuar kryesisht këtu në këtë qytet të madh për Shqipërinë, por relativisht të vogël, por edhe në gjithë territorin e vetë të vogël gjysmë milioni refugjatë lufte. Pa i kërkuar askujt asgjë.

Siç e shikoni jemi këtu, jemi gjallë, jemi shumë më mirë seç ishim në atë kohë dhe kemi të shënuar në librin e historisë sonë një faqe për të cilin jemi krenare. Jemi krenarë edhe për një faqe tjetër kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë me më shumë hebrenj pas luftës së dytë botërore, sesa para luftës. Shqipëria u bë streha nga ku asnjë hebre nuk humbi jetën dhe asnjë hebre nuk ju dorëzua nazistëve.

Nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm për faktin se jetojmë në një kohë kur ne duhet të japim kontributin tonë modestish kundër migrimit të paligjshëm në territorin e BE. Jemi shumë të vetëdijshëm që ky projekt është sa një ndihmë e madhe, aq edhe një sfidë prej ku vendi do të përfitojë edhe në aspektin e reputacionit në sytë e partnerëve evropianë.

Rama foli edhe për azilkërkuesit shqiptarë, për të cilët tha se sipas raporteve ndërkombëtare, ky numër është ulur.

Edi Rama:  Na vjen mirë që emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në vendet e BE vazhdon të bjerë në mënyrë të ndejshme dhe bazuar në raportin e 2018 të Komisionit për Parlamentin Evropian dhe Këshillit Evropian, shkruhet se në 2018 e kanë kaluar kufirin 27% më pak shqiptarë sesa një vit më parë. Ndërsa kërkesat për azil janë ulur 32% në gjysmën e parë të 2018 krahasuar me 2017. Falë edhe bashkëpunimit dhe mirëkuptim për këtë temë të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem dhe ndryshimit të legjislacionit në vendet e tyre, emigrimi i paligjshëm i shqiptarëve është minimizuar në shifra të papërfillshme.

EMISIONET