“S'duam para, vetëm negociatat”, Rama: BE është e kuptueshme kur tregohet ‘koprrace’

Ndërsa u shpreh se BE-ja është e justifikuar kur tregohet ‘koprrace’ kur vjen puna për alokimin e fondeve mbi Ballkanin, Kryeministri Edi Rama, deklaroi së fundmi se nga Brukseli nuk kërkon para, por vetëm hapjen e negociatave, një hap ky që sipas tij, nuk kushton absolutisht asgjë, por përkundrazi, konfirmon perspektivën e qartë të Shqipërisë me BE-në. Nga një konferencë me pjesëmarrjen e liderve të Ballkanit perëndimor që u organizuar nga BERZH në Londër, Rama bëri apel për t’u barazuar me nivelin e Serbisë dhe Malit të Zi, vende të cilat po avancojnë në procesin e bisedimeve.

Rama: Kur vjen puna për paratë BE-ja është në mënyrë të kuptueshme koprrace, por sa i përket këtij operacioni që nuk kërkon para, besoj se Brukseli duhet të jetë disi më bujar, sepse në fund unë mendoj se si Shqipëri ashtu edhe Maqedonia kanë bërë më shumë se çfarë u është kërkuar si detyrë shtëpie. Shqipëria ka bërë një reformë të thellë për të sjell ndryshim pozitiv në sistemin gjyqsor dhe për shembull, në këtë aspekt, Serbia dhe Mali i Zi duhet t’i hedhin hapat gjatë viteve në vijim. Maqedonia ka bërë gjithashtu ndryshime të guximshme. Apeli im për miqtë e mi në Komision dhe në BE është që nëse nuk keni më shumë para për ne, bëhuni më bujarë, pasi hapja e negociatave nuk do t’ju kushtojë asgjë, por përkundrazi do të merrni në këmbim një Evropë më të sigurt dhe të qëndrueshme.”

Gjatë fjalës së tij, Rama vuri gjithashtu në dukje, se pas çeljes së negociatave, Serbia dhe Mali i Zi kanë parë rritje në investime, duke nënkuptuar se hapja e bisedimeve me Shqipërinë por edhe me Maqedoninë, do të sjellë të njëjtin impakt. Gjatë këtij samiti të organizuar nga BERZH liderët rajonalë kërkuan ndër të tjera përmirësimin e infrastrukturës, lehtësimin e tregtisë së ndërsjellët si dhe angazhim gjithnjë e më të madh nga Brukseli për të sjellë më pranë eksperiencën evropiane.

EMISIONET