Rama në Bruksel: Shqipëria do ta meritojë integrimin në BE

Rama në Bruksel: Shqipëria do ta meritojë integrimin në BE

Nga Brukseli ku po merr pjesë në takimin e përfaqësueses së Lartë për Çështjet e Jashtme në BE, Federika Mogherini me krerët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama thekson se Shqipëria do ta meritojë integrimin në BE.

Rama: Unë jam i binduri që Shqipëria do ta meritoj plotësisht hapjen e negociatave për anëtarësim. Edhe sonte qoftë në takimin kokë më kokë, qoftë dhe në darkën e kryeministrave ka dal qartë që ka një vullnet të fortë në anën e institucioneve të Brukselit për ta shtyrë këtë proces, bazuar në çka është arritur, sigurisht edhe nga Shqipëria, në rastin konkretë.

I pyetur për situatën e krijuar në parlament për votimin  e kryeprokurores së përkohshme, Rama theksoi se në anglisht nuk preferon të flasë për palët.

Rama: Unë kur flas në gjuhë të huaj, flas për Shqipërinë, nuk flas për palët. Kështu që edhe sot, edhe njëherë kam folur për Shqipërinë, dhe sigurisht, që këtu jam mundur që të kapërcejë atë moment vështirësie të krijuar nga sjellja e opozitës, por, sigurisht jo duke fajësuar opozitën, por duke u fokusuar tek Shqipëria, tek shqiptarët, sepse negociatat nuk hapen për një parti, hapen për Shqipërinë, hapen për të gjithë shqiptarët pa dallim. 

Gjatë takimit, Mogherini nënvizoi nevojën që partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë për të përshpejtuar reformat. Viti 2018, ashtu siç edhe u theksua nga presidenti Juncker në shtator, pritet të paraqesë një mundësi unike për rajonin për të bërë hapa të pakthyeshëm në rrugëtimin e tij drejt integrimit në BE.  

EMISIONET