Hapja e negociatave, Rama: Në mendjen time ka vetëm një festë, ajo e çlirimit nga armiku i padukshëm

Hapja e negociatave, Rama: Në mendjen time ka vetëm një

Pas marrjes së PO-së nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave, kryeministri Edi Rama ka dalë me një mesazh për të gjithë shqiptarët.

Kreu i qeverisë tha se nuk do të ndalet deri në plotësimin e cdo detyre, derisa Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE.

Edi Rama: Sot, Shqipëria mori viston për hapjen negociatave për anëtarësim në BE! Më në fund, se për atë Zot u bënë bajat, shty e shty e sajo lloj - lloj vicklash. Po, ne nuk lodhemi, nuk tundemi nga e jona dhe megjithëse kjo botë nuk është rrotulluar kurrë kollaj për shqiptarët, Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë betejë dhe asnjë luftë, as betejën me viruset e vjetër të organizmit tonë shtetëror, që do t’i shkatërrojmë deri në fund me reforma modernizuese e durim; as betejën me virusin arkaik të paragjykimeve të ca të të huajve ndaj nesh, që do ta asgjësojmë pak e nga pak me të vërtetat tona e durim; as luftën me këtë virusin e ri që po i bën zbor gjithë botēs, që do ta zmbrapsim me forcën e rezistencës sonë e me durim të shumëfishuar...

PO-ja u votua në bllok nga 27 shtetet anëtare. Dera e dhomës së pritjes së shtëpisë së Bashkimit Europian u hap më në fund, në një kohë të mallkuar, kur dyert e të gjitha shtëpive tona janë të mbyllura. Shqipëria hyri në një fazë të re të historisë së saj, mu në mes të një lufte botërore që askush nuk e di kur do të mbarojë. Ky i sotmi është një lajm i bukur, edhe pse i vonuar, jo për shkakun tonë, që sidoqoftë nuk kemi humbur asnjë ditë, duke punuar e duke i bërë detyrat e shtëpisë, njësoj si ta kishim marrë PO-në qyshse e merituam. Po njësoj do të vazhdojmë t’i bëjmë të gjitha detyrat e kësaj shtëpie, jo se na e kërkojnë ata që sot na thanë më në fund PO, po se na e kërkon amaneti i të parëve dhe borxhi ndaj fëmijëve tanë. Ne nuk do të ndalemi në plotësimin e çdo detyre, derisa të hyjmë në dhomën e madhe të ndenjes në Shtëpinë e Bashkimit Europian, ku më në fund fëmijët tanë do të luajnë në të njëjtin kopsht të fëmijëve të Europës e  ku më në fund, eshtrat e rilindasve e të heronjve tanë do të prehen të qeta në varrezat e heronjve të Europës, ku më në fund do të valëvitet i barbartë, mes të barbartësh, edhe flamuri i mrekullueshëm kuqezi i Gjergj Kastriotit. Por deri atje, rruga vazhdon dhe është ende e përpjetë dhe puna per t’u bërë është ende e madhe. 

Rama thotë se nuk do të bëjë festë për hapjen e negociatave, por festë sipas tij do të jetë kur Shqipëria të çlirohet nga armiku i padukshëm.

Edi Rama: Nuk do të bënim festë, edhe sikur kjo PO e shumëpritur dhe e plotësishtmerituar të na gjente në kohë paqeje. Por sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga armiku i padukshëm që na ka sulmuar egërsisht! Sot unë jetoj çdo ditë për atë ditë, atë ditë të madhe çlirimi, kur do t’ia kemi dalë t’i mbijetojmë kësaj lufte, duke i ulur me gjithçka kemi mundur humbjet e jetëve dhe lehtësuar vuajtjet e saj të mëdha, falë rezistencës sonë popullore! E dua atë ditë, si një ditë lotësh dhimbjeje për ata që nuk u mbijetuan dot plagëve të sulmit armik dhe lotësh gëzimi për shpëtimin e mijëra e mijëra jetëve, falë solidaritetit të madh kombëtar e njerëzor të familjes së bashkuar shqiptare që i vuri kufirin te thana armikut!

E dua atë ditë, si një ditë të madhe vetëdijeje kombëtare e qytetare për forcën e për mirësinë e shpirtit shqiptar, që po sprovohet rëndë në këtë luftë, e cila jam përditë e më i bindur, do të na forcojë e bëjë më të mirë si njerëz e si vend! Binduni bashkë me mua për këtë e kini besim e bëni durim motra e vellezër dhe le të shohim bashkarisht në këtë të përditshme të hatashme jo vetëm errësirën e kohës së mallkuar që po kalojmë, po edhe dritën që ka sjellë me vete kjo errësirë; dritën që na kujton se jemi të gjithë njësoj, pa dallim feje, krahine, ideje e statusi shoqëror; jemi të pandashëm nga njëri-tjetri në këtë atdhe, për sa kohë do të kemi frymë e nuk kemi se si jemi tjetër, përvecse anëtarë të së njëjtës familje shqiptare, që sot, kur jemi të ndaluar të jetojmë sic jemi mësuar përditë, na jepet mundësia të kuptojmë se sa shumë e se sa kot qahemi në të përditshmen tone. Le ta shohim në këtë errësirë dritën që na kujton se sa e shkurtër dhe e cmuar është jeta dhe se sa jetike është të kuptojmë vlerën e njëri - tjetrit, e se sa shume kohë dhe energji na marrin kotësirat në jetën tonë të përditshme. 

EMISIONET