Rama kërkon kthimin e opozitës në Kuvend, por si?!

Rama kërkon kthimin e opozitës në Kuvend, por si?!

Ndërsa i bëri thirrje opozitës dhe përfaqësuesve të saj vendorë të pranojnë rezultatin e votimeve të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama i ftoi kundërshtarët e tij politik të rizënë vendet e tyre në parlament.

Duke folur për rrjetin televiziv ‘Al Jazeera’, kryeministri nuk shpjegoi sesi mund të kthehet opozita në Kuvend në një kohë që ajo ka djegur mandatet parlamentare dhe vendet e saj janë zënë nga deputetët e rinj.

Rama konfirmoi edhe njëherë se është i gatshëm të bashkëpunojë në të mirë të vendit.

Edi Rama: Politika duhet të bëjë punën e saj për të bashkuar vendin. Por natyrisht që duhen dy veta për të kërcyer një tango. Shpresoj që miqtë tanë në opozitë, do të reflektojnë dhe do të kuptojnë që ajo që bënë ishte një katastrofë për veten e tyre.

Për kryeministrin Edi Rama, bojkoti solli një kastrofë për opozitën, por e ardhmja sipas tij duhet parë me optimizëm.

Edhe në fjalimin e tij pas mbylljes së procesit të votimeve të 30 qershorit, Rama e ftoi opozitën në dialog, por pa kushte.

Bashkëpunimi politik është thelbësor, edhe pse jo i vetmi, për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin në BE.

Deri tani Shqipëria ka marrë vlerësime për reformën në drejtësi dhe procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve i njohur ndryshe si vettingu.

EMISIONET