Rama: Investimet e huaja këtë mandat do tejkalojnë dhe shifrat e arritura me TAP

Rama: Investimet e huaja këtë mandat do tejkalojnë dhe shifrat e

Kryeministri Edi Rama shpreh bindjen se gropa që do të krijohet në ekonomi nga ikja e TAP, jo vetëm do të zëvendësohet por edhe tejkalohet.

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të Roland Qafokut, Rama tha se në politikë nuk sheh armiq por kundërshtarë.

Teksa është i 33 Kryeministër në historinë e shtetit shqiptar, Rama thotë se edhe pse bashkëndajnë pasionin për artin, Fan Nolin nuk e ka idhull si kryeministër por si njeri të mendjes dhe kulturës. 

Ndërsa personazhi më  tërheqës në gjithë këta sipas tij është Ismail Qemali.  

Pjesë nga intervista

Qafoku: Zoti Rama, albanologu i shquar Robert Elisie ka thënë që armiku më i madh i shqiptarëve janë vet shqiptarët.  Në këto 20 vitë në politikë a keni bërë kompromise politike pikërisht për të mos u zbatuar ky rregull?

Rama: Unë nuk jam armik i asnjë shqiptari dhe nuk kam armiqësi me askënd. Armiqësia është fjalë shumë e madhe . Unë kam patur dhe kam kundërshtarë por jo armiq.  Armiqësinë e kam parë të më shfaqet përballë por asnjëherë nuk kam qenë i gatshëm të investohem në armiqësi. Dhe  mbase kam besuar fort me të drejtë gjithmonë  tek një shprehje që ma thoshte gjyshja ime e mrekullueshme  kur isha i vogël: Inati është e zeza e atij që e ka.  Armiqësia është forma më ekstreme e inatit.

Qafoku: Sipas Bankës Botërore, në vitet 2018-2019 investimet e huaja do bien me 20 përqind në vit. Me ikjen e  TAP-it ju shqetëson  kjo zoti Kryeministër?

Rama: Jemi të qartë për domosdoshmërinë për ta zëvendësuar  por ambicia është shumë më tepër sesa kaq.  Kam shumë besim që në këtë mandat do të arrijmë  shifra të reja të investimeve të huaja dhe do të tejkalojnë shifrat e arritura edhe me TAP-in.

(Në ekran shfaqet një pikturë me autor Edi Ramën kur ishte në moshën 5 vjeçare. Piktura ishte botuar në revistën 'Nëntori'.) 

Qafoku: E mbani mend këtë pikturë?

Rama: Po e mbaj mend.

Qafoku: Kishit ndonjë ngjarje të veçantë që e bëtë këtë pikturë?

Rama: Tani ju mendoni se unë mund të di se çfarë kam menduar në atë moshë? Nuk mund të kthehem në kohë dhe të mbaj mend ngjarje të veçanta  që lidhen me pikturat e mia po di që pikturoja çdo ditë edhe  ngjarja ime e veçantë ishte të pikturoja.

Qafoku: Keni pikturë më të hershme se sa kjo?

Rama: Është një koleksion i vogël që e kanë ruajtur prindërit e mi  por di që unë kam filluar të pikturoj që kur kam kapur lapsin. Këtë e di.

(Në ekran shfaqet ekipi i basketbollit të Dinamos në të cilin është edhe Edi Rama)

Qafoku: Ju ka marrë malli për basketbollin?

Rama: Malli të merr për diçka që mund ta bësh përsëri, ska si të më marrë malli për sa kohë nuk arrij dot të luaj basketboll  siç luaja dikur.

(Në ekran shfaqet një vendim i qeverisë së Fan Nolit në vitin 1924) 

Qafoku: Ky është një dokument, një vendim i qeverisë së Fan Nolit  në vitin 1924. Qeveria ka vendosur që qytetit të Shëngjinit ti japë mbiemrin e kryeministrit Willson.  Dhe nuk u zbatua.  Pas 94 viteve mund ta zbatoni ju këtë?

Rama: Që ta quajmë Shëngjinin Willson? Nuk mendoj se kjo është e bëshme.  Sepse jemi 100 vjet më mbrapa.

Qafoku: Mes 33 kryeministrave 6 prej tyre e kanë varrin jashtë, ndërsa  5 nuk kanë fare varr.  A keni menduar ndonjëherë që dhe atyre që kanë atë damkën e famshme  si kolaboracionistë  që këta njerëz të nderohen?  Psh Mehdi Frashëri?

Rama: Nuk besoj se është një ëështje që më takon mua apo një kryeministri që të përcaktojë vendin në histori  të kryeministrave të tjerë.  Kjo është një çështje që iu takon atyre që merren me histori.  Do ti takonte shumë bukur Akademisë së Shkencave që na mungon për momentin.

Qafoku: Arsyeja është ky kryeministër, është një thirrje e kryeministrit të fundit të Luftës së Dytë botëore  Ibrahim Biçaku, dhe vdiq si pastrues i banjave të qytetit të Elbasanit. Ky sot ka damkën kolaboracionist dhe u dënua dhe bëri 23 vjet burg. A mund të nderohet ky zoti Kryeministër? Është një nga paraardhësit tuaj. 

Rama: Unë mendoj që sa herë që ata që drejtojnë një qeveri marrin përsipër ta drejtojnë atë pa u mbështetur në atë çka shkruesit e mirëfilltë të historisë duhet ta bëjnë, aq herë mund të vazhdojnë në forma të ndryshme këto gabime që janë bërë në të shkuarën.

Qafoku: Për publikun e gjerë unë jam ai që thonë se jam, them ato që thonë ato se them,  bëhem ai që ato thonë se jam bërë . Sa i ngjani ju atij që di unë se është idhulli juaj, Barack Obama në komunikimin me median?

Rama: Është krejt natyrë tjetër ajo, nuk marr as kurajën dhe as të drejtën të them se i ngjaj unë atij. Por në atë që ju lexuat ka shumë të vërtetë.  Qëllimi i asaj çka ka shkruar është shumë i qartë. Që mediat  rëndom e shfigurojnë njeriun real  që gjendet pas pasqyrës ku ato  i nxjerrin.

(Në ekran shfaqet një sinkron e Elez Biberajt, drejtor i Zerit të Amerikës për EuroAzinë në të cilin kritikon zotin Rama për fjalën kazan që përdor ai për median) 

Qafoku: Do ta përmendni sot fjalën kazan?

Rama: Kemi një miqësi shumë të mirë me Elezin, është miqësi e vjetër dhe takohemi gjithmonë me kënaqësi që më duket se është reciproke. Ai e di shumë mirë pse e përdor unë fjalën kazan pavarësisht se si e ka thënë. Ky nuk është fakt është opinion. Nga ana tjetër nuk kam ndërmend të fitoj asgjë kundër mediave kur e përmend fjalën kazan, unë thjesht mbroj të drejtën time në raport me shumë të pavërtëta , shumë shtrembërime dhe shumë fabrikime  me të cilat duhet të përballem.

Qafoku: I keni bërë të gjitha mediat kazan.

Rama: Kazan në përmasa të ndryshme, në cilësi të ndryshme.

Qafoku: Mos, vetëm këtu mos e thoni fjalën kazan. Zoti Rama kam kënaqësinë, së pari botimin e parë ua kam dhënë, ndërsa ky libri tjetër mund të mos u pëlqejë  por unë do tua dhuroj, edhe ky me dedikim.  Por do të doja një për të gjithë këta kryeministra. Ka  ndonjë që juve iu ka bërë më shumë përshtypje dhe e keni si kryeministrin tuaj model?  Dy kryeministra artistë ka historia e Shqipërisë, Fan Nolin dhe ju.

Rama: Fan Nolin nuk e kam idhull si kryeministër, por si njeri të mendjes dhe kulturës. Ai që më duket personazhi më  tërheqës në gjithë këta është Ismail Qemali.  Personazh kompleks por shumë tërheqës.

Qafoku: Libri tjetër "100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar" ju frikëson?

Rama: Nuk e di çfarë është.

Qafoku: 100 vrasjet më të bujshme të shtetit shqiptar. 

Rama: Librat nuk janë për të frikësuar, janë për të ndriçuar.

EMISIONET