Kryeministri, Edi Rama, ka ironizuar deklaratat e kreu të PD-së Lulzim Basha se qeveria shqiptare dhe vetë Kryeministri janë përgjegjës për dështimin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Ai ka krahasuar deklaratën e Bashës që fajëson qeverinë me atë të kryeministrit Italian, Giuseppe Conte, i cili ka deklaruar: "Mbledhja e mbrëmshme do të mbahet mend si gabim historik. Shqipëria meriton hapjen e negociatave."

Më herët Rama postoi në facebook, deklatarën e presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili ka deklaruar: "Nuk pati unanimitet për negociatat! Nuk është faji i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut."

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si përgjegjës për dështimet në procesin e integrimit europian dhe mos-hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

 “Një njeri po na mban peng të gjithëve. Kjo duhet të marrë fund”, tha ai.

Ai deklaroi se kryeministri Rama duhet t'i kthejë mandatin popullit shqiptar, sepse “shumica e vendeve ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave dhe se kushtet treguan që qeveria ka bërë hapa pas”.

Basha tha se qeveria e Tiranës duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe të largohet nga drejtimi i vendit.

“Me një qeveri të re, legjitime, e dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, që drejton procesin e negociatave europiane, mirëqenia dhe përparimi është i mundur” - tha ai.

Por kryeministri Edi Rama hodhi poshtë kërkesat për dorëheqje dhe akuzoi opozitën se ajo punoi shumë fort për ta dështuar procesin.

“Ata nuk kanë lënë gur pa lëvizur por nuk ia dolën. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën atë që ju takonte si rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane për të ardhmen e Bashkimit Europian” - tha ai


/Ora News.tv/