Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti priti sot (29 qershor) Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë.

Hoti e ka falënderuar Ramën për mbështetjen e përhershme që Shqipëria i ka dhënë Kosovës.

Duke folur për gjendjen e re të krijuar në vend, kryeministri Hoti ritheksoi se Republika e Kosovës tashmë ka një kulturë të dëshmuar institucionale për t’i përballuar me dinjitet sfidat e tilla, që natyrisht nuk janë të lehta.

Po ashtu, kryeministri Hoti ka ritheksuar se, pavarësisht rrethanave dhe vështirësive që mund të dalin gjatë procesit, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që ta zhvillojë agjendën e saj të integrimeve euroatlantike.

“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve”, është shprehur Hoti.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, ka ofruar mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për institucionet dhe popullin e Kosovës.

“Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës”, tha Rama, duke theksuar se edhe në të ardhmen, Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset.

Në fund të këtij takimi, kryeministri Rama e ka ftuar kryeministrin Hoti për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila pritet të realizohet këtë të premte, më 3 korrik 2020.

Rama është takuar edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin Abdullah Hotin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli dhe kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Aktualisht Rama ndodhet në presidencën e Kosovës dhe po zhvillon takim me presidentin Hashim Thaçin.

Në orën 20:00 presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pritet tu drejtohet qytetarëve lidhur me situatën e krijuar pas publikimit të akuzave të pakonfirmuara ndaj tij dhe një grupi pjesëtarësh të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

rama-hoti

/Ora News.tv/