Rama: Është koha për psikologë dhe jo për astrologë

Rama: Është koha për psikologë dhe jo për

Kryeministri Edi Rama kërkoi që informacionet për tërmetet të jenë sa më racionale, për të mos futur më shumë në panik qytetarët.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se tani është koha për psikologë dhe sociologë dhe jo për astrologë.

Edi Rama: Është me shumë rëndësi të nënvizoj sot duke nisur edhe nga një fluks i madh shqetësimesh dhe shprehish alarmi dhe paniku të njerëzve, se ka një rëndësi tejet të posaçme përgjegjshmëria e atyre që kanë në dorë një instrument komunikimi, përgjegjshmëria e atyre që kanë mundësi të dalin në ekrane apo të publikojnë lajme në portale dhe rrjete sociale sepse është momenti për të komunikuar në rruajtjen e qetësisë, është momenti për të ndihmuar psikologjikisht një popull të tërë të traumatizuar  dhe nuk është momenti për audiencë as për like as për sharlatanë që shfaqen nëpër ekrane me teori konspiracioni dhe me parashikime që e marrin zanafillën nga koha e romakëve në Durrës. Këto janë krime të një papërgjegjshmërie absolute që  cënojnë jetën e përditshme të njerëzve dhe bien ndesh me standardet e gjendjes së jashtëzakonshme.

I bëj thirrje të gjithëve duke pasur besim dhe duke besuar se i bëjnë nga mungesa e një reflektimi pak më të thellë dhe jo ngadonjë qëllim të keq që të mos na detyrojmë të vemë në lëvizje mekanizma që i parashikon gjendja e jashtëzakonshme për ti fikur fare dritën e ekranëve dhe pasqyrave të tyre.

Është e papranueshme, e pajustifikueshme, është jo njerëzore që në kushtet kur njerëzit kanë marrë arratinë nga shtëpitë në të shumtën e herës edhe të nxitur në pikën e humbjes së mundësisë për të arsyetuar qetësisht nga informacionet e rreme, nga audiot që shfaqen nëpër lloj lloj kanalesh digjitale që ata të cilët kanë përgjegjësi ti shfaqen publikut si ndërmjetës, si zëdhënës të përfshihen në këtë veprimtari që nuk ka pikën e sensit të njerzillëkut.

I lutem shumë të gjithëve të kontribuojnë sa të munden për të qetësuar shpirtrat e trazuar të njerëzve dhe për të përçuar informacion

Kjo është kohë për psikologë dhe jo për astrologë. Është kohë për sociologë dhe jo për sharlatanë që përfitojnë të dalin dhe të broçkullisni hakmarrje të natyrës mitologjike nga ana e detit dhe tokës.

EMISIONET