Rama: Do ndëshkohen ata të revolucionit imagjinar, jo turistët paqësor

Rama: Do ndëshkohen ata të revolucionit imagjinar, jo turistët

Kryeministri Edi Rama tha se organizatorët e revolucionit imagjinar që kaluan vijën e kuqe të ligjit do të ndëshkohen. Ndërsa viktima dhe turistët paqësor tha Rama nuk do të preken. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se vajzat dhe gratë në administratat e bashkive të djathta nuk do të preken nga puna.

Edi Rama: Revolucioni imagjinar i administratave bashkiake u kthye në një disfatë spektakolare, për udhëheqësit, organizatorët dhe aktivistët e verbër të tij.
Kush kaloi vijën e kuqe të ligjit gjatë veprimtarisë revolucionare, duhet të ndëshkohet e të paguajë, një më një, deri në fund dhe në proporcion të drejtë me fajin e përcaktuar ligjërisht. 

Ndërsa kush ka qenë, thjesht një viktimë e presionit të operatorëve turistikë të agjencisë opozitare të protestave dhe ka zbritur në bulevard si turist politik paqësor, nuk duhet dhe nuk do të preket kurrsesi për këtë arsye, në të drejtën e tij, për të vazhduar punën në administratat apo në ndërmarrjet bashkiake. 

Asnjë grua apo vajzë, në radhë të parë, nuk do të largohet nga puna në asnjë nga bashkitë e djathta të mandatit që skadoi sot. Asnjë revansh i natyrës politike me administratën nuk do të tolerohet dhe asnjë hyrje triumfaliste, prej ushtrie fitimtare partiake në kërkim të vendeve të punës në administratë, nuk do të lejohet.  Padiskutim që vendet e zëna me kushurillëk e me dallavere të çdo natyre, nga njerëz që s’kanë lidhje as me punën për të cilën paguhen, as me meritën që duhet të kenë për pozicionin që mbulojnë, s’kanë se si të justifikohen dhe as se si të mos pastrohen.
Por gjithçka do të zhvillohet me analiza të mirëfillta, raporte transparente për publikun dhe vendimmarrje të bazuar në argumenta të qëndrueshëm, ligjorë e profesionalë. 

EMISIONET