Televizioni shtetëror Italian RAI3 u është përgjigjur sot komenteve të kryeministrit Edi Rama që e quajti “turp gazetaresk” reportazhin e gazetarit italian Valerio Cataldi, sipas të cilit shifrat e kultivimit të kanabisit në Shqipëri ishin rritur me 12 herë krahasuar me një vit më parë.

Në një reagim të tij, RAI3 thotë se u qëndron shifrave të publikuara.

“Folëm për BREXIT, por ka edhe nga ata që duan të hyjnë në Europë, Shqipëria. Por unioni i kërkon të bëjë hapa përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në udhëtimin tonë atje ne kemi folur për një rritje masive të plantacioneve të marijuanës, numra që policia shqiptare i mohon, por ndryshe nga e kaluara nuk ka nxjerrë të dhëna zyrtare. Ne, në bazë të burimeve tona, i konfirmojmë shifrat qe kemi nxjerrë", thuhet në kronikën e Rai3.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Sekretari i Pergjithshem i PD, Gazment Bardhi.

Bardhi: Televizioni RAI 3 rikonfirmon përsëri sot shifrat e publikuara disa ditë me parë për rritjen me 1200% të sasisë së kanabisit të mbjedhë gjatë këtij viti, duke i qëndruar burimeve të veta për vërtetësinë e lajmit. Edhe pse Edi Rama e konsideroi lajmin të pavërtetë, dhe dje mashtroi opinionin publik duke servirur një shkrim si gjoja reagim të autoriteteve italiane, TV RAI3 e sfidoi duke i kujtuar se të dhënat për këtë vit i ka mbajtur të fshehta!

Përveç kanabizimit masiv të Shqipërisë, Edi Rama mori sot një tjetër klasifikim rekord nga RAI3. Ai u tregua me gisht si i vetmi Kryeministër në Europë që ka ngritur propagandën zyrtare në mekanizëm manipulimi për të mbuluar të vërtetën.

Për mediat ndërkombëtare, kanabizimi i vendit, bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe dhunimi i fjalës së lirë, janë e vetmja arritje e Shqipërisë nën qeverisjen e Edi Ramës.

Edi Rama ka deshtuar!

/Ora News.tv/