Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë, për kufizimin dhe shtyrjen e operacioneve për shkak të faturës së lartë të sterilizimit ka sjellë shqetësim tek pacientët.

Për orë të tëra familjarë të pacientëve presin që të afërmit e tyre të hyjnë në sallën e operimit, ndërkohë që për shtyrjen e orarit nuk marrin asnjë sqarim nga mjekët.

Familjar: E kishin për në orën 10 për ti marrë, presim, mund të zgjasi apo mund të futet, nuk e dimë. Kush do të na japë përgjigjen, s’ngulmon dot ti thuash tjetrit që dua unë në këtë orar që më the ti.

Në spitalin e Traumës, jashtë kamerave denoncimet janë të shumta, qoftë për pritjen e gjatë për kryerjen e një vizite, qoftë për shtyrje operacionesh.

Familjar: Kemi rreth një javë që kemi ardhur nga Pogradeci me rekomandim pasi i afërmi jonë ka pësuar një aksident dhe ka një thyerje, me rekomandim nga Pogradeci për të bërë një operim. Nga ai moment e deri tani nuk e ka marrë asnjë përsipër për të bërë operim të afërmin tonë. 

Vetë mjekët kanë konfirmuar urdhrin e Ministrisë që ka sjellë këtë situatë në spitalet publike. Në studion e Ora Neës kirurgu Ibrahim Bruka pranon se ka patur një urdhër verbal nga ministria e linjës.

Ibrahim Bruka: Ftesë verbale kemi pasur herë pas here nga Ministria dhe Drejtoria e QSUT-së për të ulur numrin e operacioneve, por shkresë me firmë dhe me vulë nuk është paraqitur në institucionin tonë. Megjithatë, verbalisht, herë pas here komunikohet nëpërmjet email-eve me shefat e klinikës dhe thuhet që do reduktohet sasia e operacioneve sepse nuk kanë mundësi që ta përballojnë.

Denoncimin e mjkëve e ka hedhur poshtë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila mohon të ketë firmosur një urdhër të tillë por thotë se ka racionalizim, duke mos shprehur një qëndrim të qartë.

/Ora News.tv/