Pavarësisht se rritja ekonomike është përgjysmuar gjatë këtij viti dhe sipas institucioneve ndërkombëtare ky trend do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, Ministrja e Financave  parashikon që ky tregues të jetë në nivelin e 4%. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Investimeve Denaj premtoi një reformë të re për investimet, ndërsa tha se është rritur numri i bizneseve në fushën e turizmit.

Qeveria parashikon që rritja ekonomike në vend të vijojë të jetë në nivelin 4% në tri vitet në vijim edhe pse treguesit janë negative dhe në gjysmën e parë të vitit ky tregues është përgjysmuar.

Ministria e Financave, Anila Denaj, tha në Këshillin e Investimeve se është shumë e rëndësishme marrja e masave për të arritur këtë qëllim.

Denaj: Kemi synuar nivelin 4% në tre vitet e ardhshme. Ulja në vijim e nivelit të papunësisë që së fundmi regjistroi një nivel rekord  në 11.5% në tremujorin e fundit kërkon jo vetëm konsoklidim fiskal, por dhe politika ekonomike sektoriale të qëndrueshme dhe të planifikuara për një afat më të gjatë sesa një vit.

Denaj deklaroi se  Ministria është e angazhuar në një reformë të re investimesh.

Denaj: Përmirësimi i legjislacionit në fushën e investimeve përmes ligjit të unifikuar të investimeve do të sjellë një klimë më të favorshme si për investitorët vendas ashtu dhe ata të huaj duke dhënë një efekt pozitiv në ekonominë e vendit, kryesisht në rrjedhën e kapitalit shtesë, transferim teknik dhe menaxherial të dijeve dhe krijimin e vendeve të lira të punës.

Lehtësitë në fushën e turizmit dhe agro-turizmit, sipas Ministres kanë sjellë rritjen e krijimit të kompanive të reja gjatë vitit 2018 me rreth 3.120 subjekte.

/Ora News.tv/