Qeveria “hap thesin” për SPAK, jep 100 milionë lekë për zyrat e reja

Qeveria “hap thesin” për SPAK, jep 100 milionë lekë

Edhe pse SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ende nuk janë krijuar për shkak të vonesave të reformës në drejtësi qeveria ka shtuar me 100 milionë lekë në buxhetin e ministrisë së Brendshme të adresuara për këto dy struktura.

Me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, qeveria ka miratuar shtimin e buxhetit të ministrisë së Brendshme me fondin prej njëqind milionë lekësh, për përshtatjen e mjediseve të punës për Prokurorinë e Posaçme të Luftës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe për sigurimin e mjeteve e të pajisjeve të nevojshme për funksionimin e tyre.

Një tjetër fond për 150 milionë lekësh është dhënë nga qeveria në datën 2 gusht për strukturën e SPAK. Sipas vendimit, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, ka vendosur që Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përcaktohet për vitin 2019 buxheti fillestar prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit gjatë vitit 2019”.

Vendimi i qeverisë

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BRENDSHME, PËR AKOMODIMIN DHE FUNKSIONIMIN E STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në zërin “shpenzime kapitale”, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përshtatjen e mjediseve të punës për Prokurorinë e Posaçme të Luftës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe për sigurimin e mjeteve e të pajisjeve të nevojshme për funksionimin e tyre.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, për vitin 2019.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

EMISIONET