Qeveria hollandeze do vazhdojë ta mbajë mbyllur derën e negociatave me Shqipërinë

Hollanda vijon ta konsiderojë Shqipërinë një vend jo të gatshëm për t'u ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim. Kryediplomati i vendit, Stef Blok, deklaroi në parlament se Tirana zyrtare ka ende një rrugë të gjatë për të plotësuar kriteret e Bashkimit Europian.

Qeveria hollandeze do vazhdojë ta mbajë mbyllur derën e negociatave me Shqipërinë. Konfirmimi ka ardhur nga ministri i Jashtëm i vendit, Stef Blok, gjatë një debati parlamentar me përfaqësues të partive opozitare.

Kryediplomati Blok tha: "Qeveria nuk është e interesuar për çeljen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. "

Duke iu përgjigjur pyetjeve të kolegëve deputetë, zyrtari i qeverisë tha se Shqipëria ka ende shumë për të bërë.

Holanda ka një qasje më pozitive për Maqedoninë e Veriut, dhe ministri Blok thotë se vendi ka shënuar progres më të madh sesa Shqipëria në kriteret e caktuara, megjithëse beteja me korrupsionin dhe sundimin e ligjit nuk është aty ku duhet.

Me gjithë rezervat për dy vendet, kreu i diplomacisë holandeze refuzoi të dalë me një qëndrim përfundimtar se si do të votojë qeveria e tij përkrah shteteve anëtare në javët e ardhshme.

Parlamenti në Vendet e Ulëta mbetet i ndarë për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Social-liberalët e partisë qeveritare D66, opozitarët laburistë dhe të gjelbrit janë shprehur në favor të zgjerimit të aleancës europiane me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkohë partia më e madhe e koalicionit për Liri dhe Demokraci nuk ka pranuar të deklarohet.


EMISIONET