Ndërsa Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është drejt ngritjes së saj, Këshilli i Ministrave në mbledhjen e 31 korrikut ka miratuar buxhetin për të. Janë 150 milionë lekë që do të jenë në dispozicion të SPAK për të ushtruar aktivitetin gjatë muajve të mbetur të vitit 2019.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 10, të nenit 57, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, vendosi: Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përcaktohet për vitin 2019 buxheti fillestar prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit gjatë vitit 2019”, shkruhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pritet të jetë funksionale në fund të muajit shtator sipas kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.

Tashmë janë publikuar emrat e 15 porkurorëve të parë, që kanë marrë vlerësim pozitiv nga KLP dhe janë përzgjedhur si kandidatë të SPAK.

Sipas Kushtetutës, SPAK përbëhet nga 15 prokurorë, ndërsa që të jetë funksionale mund të përbëhet dhe nga 10 prokurorë, të cilët si kushte kryesor që të bëhen anëtar të SPAK, duhet të kenë kaluar vettingun dhe të jenë vlerësuar pozitivisht në kriteret profesionale dhe ato morale.

SPAK do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të politikës.


/Ora News.tv/