Kosova taksë 100% për prodhimet e Serbisë

Kosova taksë 100% për prodhimet e Serbisë

Qeveria e Kosovës ka rritur në 100% taksën doganore ndaj të gjitha produkteve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Zyrtarët në Prishtinë deklaruan të mërkurën e 21 nentorit, se taksa vjen si kundërpërgjigje ndaj fushatës agresive të Serbisë, e cila një ditë më parë i refuzoi Kosovës anëtarësimin në organizatën policore të INTERPOL-it por edhe në të kaluarën, njohjet nga më shumë shtete të botës.

Taksa e re është vendosur me propozim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë pas vendimit fillestar që qeveria kosovare mori muajin e kaluar për të vendosur një taksë prej 10% për prodhimet nga dy vendet fqinje.

Urdhri i qeverisë kërkon edhe largimin e të gjitha produkteve në të cilat shkruan 'Kosova e Metohija'.

Tarifa nuk zbatohet për produktet që kalojnë tranzit nga të dyja vendet, dhe mendohet se do të fuqizojë prodhuesit vendorë dhe ekonominë e Kosovës. Vendet e prekura, por edhe Bashkimi Europian, e kanë parë me dyshim qëndrimin e Kosovës, duke e vlerësuar marrjen e vendimeve të njëanshme si një shkelje të marrëveshjes CEFTA që do të rrezikonte dialogun me Serbinë.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj njoftoi me anë të një postimi në rrjetet sociale se politikat e Serbisë kundrejt Kosovës në arenën ndërkombëtare po minojnë procesin e normalizimit të raporteve mes dy vendeve.

Ai shtoi se rritja e tarifave me 100% bëhet për të mbrojtur interesat e vendit, dhe se qeveria planifikon të marrë masa të mëtejshme në ditët në vijim. 

EMISIONET