Pandemia e koronavirusit ka detyruar institucionet shëndetësore në vend që të devijojnë të gjitha urgjencat dhe vizitat e tjera shëndetësore drejt mjekut të familjes dhe çadrave të triazhit që janë ngritur në spitalin e Traumës dhe atë të Urgjencës kardiologjike në QSUT. Ndërkohë që edhe për shqetësimet dhe simptomat e koronavirusit, institucionet shëndetësore rekomandojnë që fillimisht qytetarët të marrin në telefon numrin 127 dhe të mos paraqiten në spitale.

Situata me pandeminë e koronavirusit, nuk kursen emergjencat e tjera shëndetësore.

Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë me dije se të gjithë qytetarët që mund të kenë një emergjencë mund t’i drejtohen mjekut të familjes, ose çadrave të triazhit në spitalin e Traumës.

Në të njëjtën kohë, edhe vetë qytetarët konfirmojnë se vijojnë të marrin shërbim te qendrat shëndetësore.

Vizitat kryhen drejtpërdrejtë ose përmes teknologjisë, siç është rasti i këtij zotërie, i cili telefonoi mjekun e familjes për një problem shëndetësor që kishte nëna e tij.

Madje nuk kanë munguar as rastet kur është kërkuar ndërhyrja e helikopterit për transportimin e të sëmurëve drejt Qendrës Spitalore Universitare Tiranë.

Prej më shumë se 2 javësh, Shqipëria ka hyrë në hartën e vendeve të prekura me koronavirus, ndaj dhe institucionet shëndetësore bëjnë apel që për çdo dyshim, qytetarët të telefonojnë numrin 127, para se të paraqiten në spital.

/Ora News.tv/