Presidenti rus Vladimir Putin e theu akullin europian dhe u prit në Romë nga autoritetet më të larta të Italisë. Gjatë konferencës me kryeministrin italiane Giuseppe Conte, ai kërkoi rivendosjen e marrëdhënieve të plota me BE-në. Por kreu italian u shpreh më i shqetësuar për krizën në Libi dhe prekjen prej saj të Italisë e më tej gjithë Europës. 

Vizita zyrtare në Romë e presidentit rus Vladimir Putin tregoi se Moska dhe aleatët europianë kanë shqetësime tejet të ndryshme. Kryeministri italian Giuseppe Conte u shpreh i shqetësuar gjatë konferencës së shtypit për shkallëzimin e konfliktit në Libi si dhe shpresoi për zgjidhjen e shpejtë të krizës në Ukrainë.

Gjatë konferencës së përbashkët të shtypit, Conte shprehu shqetësimin për krizën libiane sidomos pas sulmit të fundit ajror që la të vrarë 53 vetë, përfshirë gjashtë fëmijë.

"Gjendja e tanishme e ekuilibrit midis forcave në terren mund të shkaktojë një përshkallëzim të mëtejshëm me pasoja shqetësuese në lidhje me krizën humanitare, shpërthimin e terrorizimit dhe vënien në rrezik të sigurisë së infrastrukturës energjetike", tha Conte.

Por ndërsa presidenti Putin shprehu shqetësim për gjendjen në Venezuelë, gjatë konferencës së shtypit u fokusua më shumë për zhvillimet ekonomike në Rusi, si dhe marrëdhënien me Bashkimin Europian. Ai shpresoi se Italia do të ndërmarrë hapa për të normalizuar marrëdhëniet midis Moskës dhe Brukselit. Putini i vari shpresat tek udhëheqja e re e Komisionit Europian për rifillimin e plotë të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Europës.

 “Vendet europiane humbën shansin të kenë qasje në tregun rus. Si pasojë nuk u hapën vende të reja pune, njerëzit nuk u paguan dhe kjo solli humbje për të gjithë,” tha kreu rus.

 Ai takoi gjithashtu në Romë, zv./kryeministrin Matteo Salvini si dhe u prit nga Papa Françesku.

/Ora News.tv/