Asgjë nuk ndryshon në Rusi: Putin president, Medvedev kryeministër

Vladimir Putin është betuar sot si President i Rusisë për herë të katërt duke konfirmuar dominimin në skenën politike ruse. Në rast se do të përfundojë me sukses këtë mandat 6 vjeçar, Putin do të ketë qëndruar në pushtet për 24 vite, duke u bërë një prej liderëve më jetëgjatë në historinë e vendit. Ndjekim një përmbledhje me ceremoninë e ditës së sotme, si dhe me debatet më të mëdha referuar figurës së Vladimir Putin si dhe rolit të tij si brenda Rusisë, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Pas 18 vitesh në pushtet, qoftë si President apo si Kryeministër i Rusisë, Vladimir Putin u betua sot për një mandat të katërt në krye të shtetit duke konfirmuar se vijon të mbetet figura më dominante e politikës ruse. 

Media shtetërore u kujdes të transmetonte çdo moment të ditës së Presidentit, e cila nisi në zyrë me një përshëndetje me stafin, për të vijuar më pas me vajtjen deri në hollin e Kremlinit, ku u bë edhe ceremonia e betimit. 

Ndonëse një prej qyteteve më të populluar të globit, Moska të hënën ishte e zbrazët, ndërsa vihej re një axhendë protokollare e menduar deri në detaje.

Në fjalën e tij, Presidenti Putin, deklaroi se do të vijojë të punojë me përkushtim për t’i shërbyer qytetarëve rusë si dhe do të mbrojë sovrantietin e Rusisë.

Putin: 
Në zyrën e Presidentit të Federatës ruse, zotohem se do të respektoj dhe mbroj të drejtat dhe liritë e qytetarëve, të zbatoj kushtetutën e Rusisë dhe t’a mbroj atë, të mbroj sovranitetin dhe pavarësinë tonë, sigurinë, integritetin e shtetit dhe më e rëndësishmja, t’ju shërbej qytetarëve.

Gjatë ceremonisë inauguruese të Putin, ka patur edhe protesta të shumta, ndërsa mendohet se janë arrestuar mbi 1000 persona.
Me fitoren në zgjedhje, Putin ka siguruar të drejtën për të qëndruar në krye të shtetit edhe për gjashtë vite, ndërsa në 2024-ën, nëse do të përfundojë mandatin e tij, bëhen 24 vite në pushtet. 

Kjo do të thotë se më shumë se Putin, Rusinë e kanë qeverisur vetëm Stalini, i cili udhëhoqi për 31 vite, Tsari Nikolasi i parë, që qëndroi 30 vite në pushtet dhe Tsari Aleanxandri i dytë, që drejtoi për 26 vite.
Vladimir Putin lindi në Shën Petërsburg në 1952 dhe pasi u diplomua për drejtësi shërbeu për agjensinë inteligjente KGB në Gjermaninë lindore. 

Me kthimin në vendlindje, ai arrin të shëndrohet shumë shpejt në aleatin kryesor të ish-Presidentit Boris Yeltsin dhe më pas zgjidhet Kryeministër në 1999 dhe President për herë të parë në vitin 2000. 

Pas dy mandateve si kryetar shteti, ai shërben si Kryeministër në 2008, për t’u rikthyer sërish si President në 2012, dhe duke marrë mandatin e katërt në zgjedhjet e ketij viti.

Presidenti Putin është kritikuar vazhdimisht nga perëndimor si një lider autoritar dhe shtypës ndaj opozitës, teksa në spektrin ndërkombëtar, mund t’i atribuohet padyshim aftësia për të rikthyer sërish Rusinë si një aktor madhor. 

Vendimi i tij për të aneksuar Krimenë prodhoi një debat mjaft të gjerë, ndërsa me shqetësim janë parë edhe veprimet e Moskës në zona të tjera përfshirë Sirinë, Ukrainën, etj.



EMISIONET