Punonjësit në grevë 24 orëshe, anulohen qindra fluturime të Alitalia

Punonjësit në grevë 24 orëshe, anulohen qindra fluturime

Agjencia italiane e fluturimeve "Alitalia" është përfshirë sot nga një grevë 24 orëshe e punonjësve të saj që aderojnë në disa grupe sindikaliste.

Për ditën e sotme është parashikuar anulimi i 198 fluturimeve edhe pse kjo kompani fluturimi garanton udhëtimet në dy fasha të caktuara të ditës nga ora 07:00-10:00  dhe nga ora 18:00-21:00.

Rrjedha e kësaj greve 24 orësh ka detyruar "Alitalian" të anulojë dhe 14 fluturime në mbrëmjen e 8 tetorit, ashtu dhe anulimin e 8 fluturimeve në gjysmën e parë të ditës më datë 10 tetor.

Greva 24 orëshe mund të shkaktojë dhe vonesa në fluturimet gjatë dy fashave kohore të garantuar nga "Alitalia" , e cila për të limituar problemet me pasagjerët, ka aktivizuar një plan të jashtëzakonshëm pune që parashikon fluturime me avionë më të mëdhenj në linjat kombëtare dhe në disa linja ndërkombëtare me qëllim që pasagjerët të udhëtojnë sa shpejt e mundur në destinacionet e prenotuara.

Në listën e fluturimeve të anuluar deri më tani nga Alitalia nuk shfaqen udhëtime për nga Tirana. Megjithatë gjatë ditës kjo listë  mund të pësoj ndryshime .

Në shërbim të pasagjerëve "Alitalia" ka vënë në dispozicion dy numra telefoni si dhe informon se do të rimbursojë çmimin e plotë të biletës nëse udhëtimi ka pasur një vonesë mbi 5 orë ose udhëtarët mund të modifikojnë orarin e udhëtimit në rast se fluturimi i tyre ka vonesa apo është anuluar.

EMISIONET