Punëtori i ndërtimit rrëzohet nga pallati dhe vdes, arrestohet inxhinieri, procedohet administratori i firmës

Punëtori i ndërtimit rrëzohet nga pallati dhe vdes, arrestohet

Një punëtor ndërtimi humbi jetën të mërkurën pasi ra nga lartësia e një pallati në ndërtim ku po punonte.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “3 Dëshmorët” në kryeqytet, ndërsa viktima është identifikuar si A. K., 35 vjeç.

Për ngjarjen, Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë inxhinierin e një firme ndërtimi, ndërsa ka proceduar penalisht administratorin e firmës nënkontraktore.

Të dy akuzohen se kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë.

"Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, i shtetasit R. P., inxhinieri i firmës ndërtuese (personi përgjegjës për sigurinë e punëtorëve në punë), pasi ditën e djeshme, në rrugën “3 Dëshmorët”, në një pallat në ndërtim, ka rënë nga lartësia punëtori shtetasi A. K., 35 vjeç, i cili ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi E. K., administratori i firmës nënkontraktore" njoftoi policia.

Sakaq policia ka arrestuar edhe një 38-vjeçar për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje.

"Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, i shtetasit E. H., 38 vjeç, pasi në rrugën “Hysni Xhura”, ka goditur me grushte në fytyrë shtetasin S. D., për motive të dobëta".

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

EMISIONET